– Grosistët shkelin embargon ndaj Rusisë, rrugës një transportues me 3 600 tonë grurë nga deti Azov
DURRËS, 15 shtator 2014 – Java e re shtatorit 2014 i gjen “me duar në xhepa” tri kompanitë e ngarkim-shkarkimit / stivadore në portin detar, pasi kalatat dhe rada janë pa “kokërr” anijeje.
Sipas dispeçerit të ndërmarrjes shtetërore Autoriteti Portual Durrës, të hënën, më 15 shtator 2014, si akuatoriumi ashtu dhe rada janë të zbrazura (anglisht: empty, shih faksimilen) nga anijet e mallrave dhe pse në fillimjavë janë parashikuar të vijnë 6 anije me 17 754 tonë ngarkesa.
Bie në sy se metalurgjiku turk i Elbasanit pret t’i vijnë dy transportues me 8 300 tonë skrap gjithsej importi.
Anija ruse Sv. Georgiy Pobedonosets (në foto poshtë) që sjell për shkarkim 3 602 tonë grurë rus nga deti Azov, në orën 10:30 të paradites së 15 shtatorit 2014, ndodhej rrugës në jug të Greqisë (shih faksimilen, shigjeta e gjelbër në fund të hartës) dhe mund të përpunohet më 16 shtator 2014 (vëmë në dukje se Tirana zyrtare u është bashkuar sanksioneve ekonomike ndaj Moskës, në akord të plotë me Brukselin dhe Uashingtonin!).
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





