Tiranë, 14 shtator 2014 –  Një grup Task-Forcë i përbëre nga efektivët e Qarkullimit Rrugor dhe ata të Njësisë “Shqiponja” ka nisur kontrollin e të gjitha mjeteve me targa të huaja dhe atyre me targa provizore. 

Pas përfundimit të sezonit veror, Policia e Shtetit nis verifikimin e të gjitha makinave me targa të huaja që mund të kenë hyrë në territorin tonë gjatë 3 muajve të verës dhe ende nuk janë larguar, duke shkelur afatet e qëndrimit.

Urdhri për ngritjen e këtij grupi u dha pas vendimit që mori Drejtoria e Doganave disa javë më parë, për kontrollin e automjeteve që për qëllime turistike hyjnë në territorin e Shqipërisë dhe nuk dalin më, por shiten duke mos kryer çregjistrimin në pikën e kalimit kufitar.

Efektivët e Policisë tashmë kanë nisur verifikimin e këtyre automjeteve, apo edhe atyre që mund të kenë marrë fiktivisht targa provizore, për të provuar nëse është shkelur apo jo afati i qëndrimit, apo leja provizore e marrë në doganë. Të gjitha ato makina që rezultojnë me shkelje do të bllokohen nga Policia, ndërsa për pronarët e tyre do të nisin procedurat sipas neneve që përcakton Kodi Rrugor, në zbatim edhe të udhëzimit që tashmë është vënë në zbatim, raporton “Panorama”.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/