Itali, 15 shtator 2014 –  Ilirjan Celibashi, që u dorëhoq ca muaj më parë nga posti i Ministrit për Marrëdhëniet me Parlamentin, është vënë në krye të një grupi heterogjen, i përbërë nga prokurorë e gjykatës të Gjykatës së Lartë e biznesmenë shqiptarë, për të bërë një vizitë zyrtare në Itali. Grupi i kryesuar nga ish ministri Celibashi, që në Itali vazhdon të prezantohet si ministër, bëri një vizitë në fshatin arbëresh të Kastrorexhois (Castroreggio), në provincën e Kozencës. Ky fshat numëron rreth 431 banorë, sipas censusit të vitit 2008.

Në këtë vizitë të bën përshtypje, që një ish ministër merr me vete gjykatës e prokurorë për të vizituar një fshat arbëresh. Skandalet nuk kanë të sosur.

Së pari, ish ministri paraqitet para autoriteteve vendore si ministër. Turp e faqja e zezë për prestigjin e shtetit shqiptar.

Së dyti, çfarë duan gjykatësit dhe prokurorët, që shoqërojnë një ish ministër në një vizitë të tillë? Çfarë duan këta gjykatës e prokurorë, që shoqërojnë disa biznesmenë për një vizitë të tillë, që nuk merret vesh se çfarë lloj vizite është: etnografike, politike, biznesi, shkëmbimesh përvojash juridike, patriotike apo turistike!

Së treti, udhëtimi i ish ministrit Celibashi në fshatin arbëresh organizohej nga shoqata “Pal Ëngjëlli”, me qendër në Durrës. Të më falë për paditurinë z. ish ministër, por lidhja e vetme e tij me këtë shoqatë mesa di unë është që ministri shumë vite më parë ka qenë gjykatës në Durrës, ku kjo shoqatë ka qendrën.

Gjithsesi skandale të tilla janë nuk na çudisin aspak, sepse janë bërë normale për politikanët shqiptarë dhe thjesht na provojnë ne që raca e politkanëve shqiptarë gjatë këtyre 90 viteve ka ndryshuar fare pak nga paraardhësit e tyre, që i përshkruan aq bukur Faik Konica në “Doktor Gjilpërën” e vet.

/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/