Fushë Krujë 15 shtator 2014 – Një tjetër shpërthim me tritol brenda 24 orësh është shënuar në Fushë Krujë, këtë herë lënda plasëse i është vendosur automjetit të Kryetarit të Bashkisë, Gjon Bardhi. Mësohet se shpërthimi ka ndodhur rreth mesnatës, ndërsa automjeti ishte i parkuar në një lokal në fshatin Larushk.
Nga shpërthimi nuk ka të lënduar, por vetëm dëme materiale. Vetë kreu i Bashkisë së Fushë Krujës, ka deklaruar se ndodhej në një dasmë brenda në lokal kur ka ndodhur shpërthimi.
Ai shprehet se nuk ka dijeni se kush mund ta ketë kryer këtë veprim dhe se nuk ka konflikt apo hasmëri me asnjë person.
Mbrëmjen e të shtunës vetëm pak metra larg komisariatit të policisë, në një banesë private, ndodhi një tjetër shpërthim me tritol, fatmirësisht pa të lënduar.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





