Tiranë, 15 shtator 2014  – Briken Ibraj, 18 vjeç, e humbi betejën me jetën në Spitalin e Traumës, 8 ditë pasi u qëllua me automatik nga 17-vjeçari Ervin Gërguri, i arrestuar pak orë pas ngjarjes.

Me një plumb kallashnikovi në qafë, që i kishte prekur një prej arterieve kryesore, mjekët e spitalit, kanë pritur që adoleshenti të dalë nga koma, për t'i kryer operacionin që do t'i shpëtonte jetën.

Por Ibraj, djali i vetëm i familjes, me origjinë nga Puka dhe banor në plazhin e Durrësit në lagjen numër 13, mbylli sytë në orët e para të mëngjesit, duke lënë pas dhembje të papërshkruar, tek dy motrat, prindërit dhe të afërmit.

Në vitin 2013, në muajin prill, Ibraj mbeti i plagosur me thikë, së bashku me menaxherin e një lokali, nga i njëjti autor, gjatë një sherri në një Internet Kafe në sektorin "Iliria" të plazhit.  Por Ervin Gërguri qëndroi shumë pak javë në qeli, pasi përfitoi nga amnistia.

Naim Ibraj, babai i 18-vjeçarit, në një situatë të rëndë pas humbjes së djalit, deklaroi për "GSH" se, vitin e shkuar ia fali gjakun e djalit autorit, ndërsa këtë herë ia ka lënë shtetit në dorë dënimin e Gërkurit, i cili i vrau djalin e vetëm të familjes.

"Djali vdiq mbrëmë natën në spital. Ishte djali ynë i vetëm. Ne menduam se ai do ta kalonte këtë gjendje, siç e kaloi një vit më parë, kur mbeti i plagosur pa shkak. Mjekët nuk i bënë dot operacion në gjendjen që ndodhej, ata prisnin një farë përmirësimi, reagimi prej tij. Por, edhe ata, edhe ne, shpresuam deri në fund. E gjithë familja është në shok, nuk mund të mendohej kjo që na ndodhi. Autori i krimit u lirua vjet, pa bërë as një muaj gjithsej burg, për plagosjen e djalit dhe pronarit të një Interneti ku ndodhi plagosja. Nuk kam besim as tek drejtësia e as tek ligji; ai duhej të ishte në burg për krimet që kreu vjet! Doli nga burgu e ma vrau djalin sivjet, që e kishte jetë të dytë. Për herë të parë e fala gjakun e tij. 

Erdhi familja e tij në shtëpi na kërkuan falje, dhe ne e ndihmuam edhe në gjykatë, me idenë që ishte fëmijë. E ndihmuam e ia falëm gjakun sipas zakonit e traditës, edhe pse djali im ndenji një muaj vjet në spital, pasi rrezikonte jetën shumë. Vjet e qëlloi me thikë, ia nguli në bark e në ije, ndërsa sivjet e qëlloi me plumb. Ne mendonim se i kishim mbyllur këto debate me familjen e atij djali që vitin e shkuar. Ai djalë duhej të ishte në burg për ato që ka bërë, por këtu nuk ka as drejtësi dhe as ligje. Ai doli me kallash e vrau tim bir. Tani që është arrestuar, ia kam lënë drejtësisë të bëjë punën e saj. Nuk dua të di më për atë njeri, sepse një djalë të vetëm kisha." – thotë babai i adoleshentit që u nda nga jeta një ditë më parë.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/