Nga Gjergj Thanasi

Durrës, 14 shtator 2014  –  Dy partitë kryesore politike shqiptare edhe në vitin e trazuar 1991 arrinin të bënin zgjedhje të brendshme, të zgjidhnin strukturat drejtuese etj. Sot, pas 23 vjetësh ka regres total. PS-ja nuk bën zgjedhje për kryetar, ndonëse zotit Rama i ka përfunduar mandati me kohë e me vakt. Siç duket në PS, maksima fitimtarët nuk shahen është shndërruar në: fitimtarët e zgjedhjeve politike nuk kanë nevojë për zgjedhje në parti.

Në PD u bë gati një vit që kanë kryetar të ri, të zgjedhur më së paku në mënyrë të dyshimtë siç u shpreh rivali i tij i ndjeri Olldashi, ndërsa ende s’ka sekretarë të përgjithshëm, nënkryetarë, apo anëtarë kryesie, të cilët duhet të ishin zgjedhur pas kryetarit të ri, z. Basha.

Sëmundja e partive në qendër ka filluar si metastaza kanceri të prekë edhe degët e këtyre partive në bazë. Fjala vjen, PD-ja e Durrësit, pasi zgjodhi kryetarin e ri z. Osman Stafa, ka nja 3-4 muaj, që nuk po zgjedh dot strukturat drejtuese d.m.th. kryesi, nënkryetarë, sekretar etj.

Të mërkurën në 10 shtator u bë një mbledhje e kryesisë së zgjedhur (anëtarët e së cilës të premten rezultuan jo definitivë). Mbledhja zgjati dhe zgjati, por në fund u shty ndër të tjera, sepse gjatë debateve konstruktive u përdor një fjalor tej mase konstruktiv i nivelit me libër shtëpie, ku me zë të lartë shahej me fjalor “parlamentar” gruaja në sy të burrit si thotë populli vendçe fare.

Më në fund të premten u rimblodh Byroja. Ups, më falni o lexues për terminologjinë, kryesia, dhe përsëri vazhduan debatet konstruktive. Në këtë mbledhje pati dorëheqje zonjash anëtare të kryesisë, ndonëse sapo ishin zgjedhur si të tilla këtë behar. Këto dorëheqje i justifikuan me mos pasjen në kryesi anëtarë burrë e grua.

Siç duket, kur kandiduan e fituan beharin e shkuar nuk e dinin se ishin burrë e grua këta anëtarë e ish anëtare të kryesisë. Më në fund, për të zgjedhur dy nënkryetarët e PD-së durrsake u gjet një zgjidhje dhe një kriter i posaçëm, që faktikisht nuk gjendet në statutin e PD-së. Njëri nënkryetar do ishte mashkull dhe tjetri femër. Për t’u bërë nënkryetar u përdor kriteri: kush ka marrë më shumë vota nga burrat dhe kush ka marrë më shumë vota nga gratë. Duket si humor me të kaluarën, i tipit rradha e burrave dhe rradha e grave te dyqani i fruta-perimeve, por kështu ngjau në fakt.

Nga kjo mënyrë përzgjedhje rezultoi si nënkryetare nga gratë zonja Arjeta Keçi, pinjolle e një familje të madhe e të vjetër qytetare nga Shijaku, për C.V. politike të së cilës nuk kemi asnjë të dhënë tjetër. Nënkryetari tjetër nga burrat u zgjodh z. Pëllumb Berisha me një karrierë të pasur në politikë (deputet në një legjislaturë), administrator lokal (në hipotekë dhe drejtorinë e targave dhe patentave siç njihet ndryshe në të folurën popullore). Z. Berisha është po ashtu student i dhjetorit. Ai ishte ndër të paktët studentë të Shkollës së Bashkuar Ushtarake “Enver Hoxha”, që nuk ju bindën urdhrit të komandës së shkollës për të shtypur demostratat e studentëve dhe të popullit të Tiranës. Personalisht kadeti Berisha, së bashku me këtë grup kadetësh, u përlesh edhe me dy pedagogë enveristë, njëri prej të cilëve sot është dhëndërr Durrësi dhe deputet i PS-së.

Pas peripecisë së zgjedhjes së nënkryetarëve, saga e plotësimit të strukturave të PD-së durrsake do të vazhdojë përsëri. Në mbledhjen e së premtes u miratuan edhe disa kandidatura për sekretar dege, kandidatura, që do të dërgohen në PD-në qendrore, e cila mund të miratojë njërën prej kandidaturave apo të emërojë sekretar dege një person tjetër, jo pjesë e këtyre kandidaturave.

Lexuesit mund t’i duket pa interes dhe e bezdisshme kjo maratonë për zgjedhje strukturash partiake, por rezultati i betejës së ardhshme për superbashkinë Durrës ndër të tjera do varet edhe nga këto struktura. Kujtojmë, që për shkak të autonomisë lokale shumë halle e probleme të durrsakut të thjeshtë zgjidhen nga bashkia dhe organizmat e varura prej saj.

Taksat e biznesit të vogël, në kuadrin e kësaj autonomie lokale, po ashtu mblidhen nga taksidarët e kësaj bashkie. Shumica e trendeve të zhvillimit të biznesit privat, veçanërisht atij turistik dhe të ndërtimit, po për shkak të kësaj autonomie do të varet nga një fakt i vetëm: Kush do jetë kryetari i ardhshëm i superbashkisë Durrës. Kur zgjedhja e strukturave partiake i ngjan një gare maratone, sa të gjatë aq edhe të mërzitshme e monotone, sa janë shanset për ta mundur në zgjedhje kandidaturën e së majtës, kryebashkiakun aktual Dako?!

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/