Tiranë, 14 shtator 2014 – “Ky prift përdhos shërbesat e shenjta. Mbështetet nga qarqe anti të krishtera që tentojnë të nxisin përçarje ndaj shqiptarëve”. Kështu ka reaguar sot Kisha Ortodokse ndaj deklaratës së priftit të kishës së Elbasanit, At Nikolla Marku, i cili i ka kërkuar kryepeshkopit ortodoks Janullatos shpjegime në lidhje se me çfarë tagri do shkoj ai në takim me Papën.
Në një deklaratë për shtyp, Kisha Ortodokse vlerëson se “Marrëdhëniet vëllazërore midis katolikëve dhe ortodoksëve janë frymëzim për gjithë popullin shqiptar, dhe dëshmojnë se për të krishterët është e mundur që të jetojnë në harmoni”.
DEKLARATA E PLOTË
Përpjekje mjerane për të prishur atmosferën e mikpritjes dhe harmoninë fetare
– Reagim i Kishës Ortodokse ndaj deklaratës së N. Markut në prag të vizitës së Papës –
Siç kemi deklaruar, ardhja e Papa Franceskut I në vendin tonë është më se e mirëpritur dhe vazhdim i një tradite marrëdhëniesh të shkëlqyera. Dhe jo vetëm midis të krishterëve. Që nga rikthimi i lirisë fetare, komunitetet fetare themelore, myslimanët, ortodoksët, katolikët, dhe bektashinjtë, kanë kultivuar jo thjesht një tolerancë fetare dhe mirëkuptim, por diçka më të rëndësishme: respektin e ndërsjellë, reciprocitetin, bashkëpunimin krijues: fakt që ka ndihmuar më në përgjithësi rrugëtimin paqësor dhe zhvillimin e vendit. Jo rastësisht, para vizitës në Shqipëri, Papa do të deklaronte se “ata kanë qenë në gjendje të krijojnë një “qeveri të unitetit kombëtar” mes myslimanëve, ortodoksëve dhe katolikëve dhe një këshill ndërfetar që ka ndihmuar shumë dhe që është i balancuar. Kjo është harmoni fetare.” Është pikërisht kjo vlerë unike që populli ynë ka kultivuar në shekuj, që tashmë po përmendet si dëshmia më e rëndësishme që mund t’i japë Evropës dhe botës, duke e renditur me dinjitet krah vendeve më të qytetëruara.
Por, për fat të keq, disa media u përdorën për t’i dhënë zë dhe figurë në disa ekrane dhe gazeta një individi nga Elbasani, të vetëshpallur prift, që përdhos çdo ditë shërbesat e shenjta ortodokse, që flet marrëzira e gënjeshtra kundër shenjtorëve kanoneve të shenjta dhe klerikëve e Kishave Orthodhokse, që mbështetet nga qarqe të errëta antitëkrishtera dhe antiortodokse, që duan të nxisin përçarje e dasi midis shqiptarëve (ai nuk njihet dhe pranohet si klerik nga asnjë kishë ortodokse apo e krishterë në botë dhe as nga besimet e tjera apo shteti).
Ortodoksët e Shqipërisë e kanë shprehur gjithnjë dhe në të gjitha mënyrat e mundshme, edhe në çaste kritike, se janë të bashkuar rreth kryebariut të tyre, Kryepeshkopit Anastas, i cili njihet dhe nderohet jo vetëm nga Kishat Ortodokse, por edhe nga të gjitha Kishat e Krishtera dhe me gjerë nga besimet e tjera (ndër të tjera ai është President Nderi i “Fetë për Paqen, organizata më e madhe ndërfetare në botë) dhe distancohen nga qëndrime dhe deklarata të tilla.
Takimet e kontaktet e Kishës sonë me hierarkinë Kishës Katolike kanë qenë të shpeshta dhe në raste veprimtarish të përbashkëta të panumurta, brenda dhe jashtë vendit. “Marrëdhëniet vëllazërore midis katolikëve dhe ortodoksëve janë frymëzim për gjithë popullin shqiptar, dhe dëshmojnë se për të krishterët është e mundur që të jetojnë në harmoni…”, do të deklaronte Papa Benedikti XVI, më 4 dhjetor 2011, gjatë vizitës zyrtare të Kryepeshkopit Anastas në Vatikan.
Kjo marrëdhënie është e përbërë nga nisma e takime të shumta, që fillojnë nga takimet personale dhe njohja e Fortlumturisë së Tij, Anastasit me Papa Gjon Palin, në takimet e shumta ndërkombëtare të iniciuara në emër të paqes dhe bashkëjetesës paqësore midis feve e deri te nismat e përbashkëta këtu në vend, si Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale dhe Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë, takimet e shumta, pjesëmarrja në shërbesat e njëri-tjetrit në rastet e rëndësishme etj.
Sigurisht, që vizita e Papës do ndihmojë në vënien në dukje edhe më mirë të kësaj harmonie të pashoqe dhe do t’i sfumojë qëndrimet e tilla keqdashëse.
Tiranë, 13. 09. 2014
Zyra e Shtypit e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
AT NIKOLLA MARKU
Vizita e Papa Françeskut në Tiranë më 21 shtator jo vetëm që ka hasur polemika në lidhje me sheshin “Nënë Tereza”, mes qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës, sa i takon meritave për organizimin dhe rikonstruksionin e tij, tanimë dhe mes përfaqësuesve fetar. Një rasti i tillë është ai i Kishës Ortodokse "Shën Maria" në Elbasan, me në krye At Nikolla Markun, i cili i ka kërkuar kryepeshkopit ortodoks Janullatos shpjegime në lidhje se me çfarë tagri do shkoj ai në takim me Papën.
Për At Nikolla Markun, Janullatos përfaqëson një shovinizëm ekonomik, territorial, politik në dëm të sovranitetit shqiptar. “Në emër të kujt do ti japësh dorën, ti Janullatos, Papa Franceskut?! Ti përfaqëson kishën e ortodoksëve të Shqipërisë, kur je stërnipi i Kozmait famëkeq të fanarit të Greqisë?! Ti përfaqëson një shovinizëm ekonomik, territorial, politik në dëm të sovranitetit të kombit shqiptar”.





