Nga Met Dervishi *
Durrës, 14 shtator 2014 – Përzgjedhja e "Dimrit të vetmisë së madhe" për të depërtuar në misteret e dispozitivit stilistik të Kadaresë ka shumë arsye. Në krahasim me veprat e tjera të shkrimtarit, por dhe në krejt prodhimin letrar nën diktaturë, ky roman ka pasur një fat të veçantë. I botuar për herë të parë në vitin 1973, ai u refuzua nga kodi socrealist, u rrethua për tre vjet me një heshtje kërcënuese së bashku me autorin, dhe pastaj u ribotua me titull tjetër tre vjet më vonë, kinse i ripunuar, në të vërtetë i trukuar. Së pari, ky roman është një ndër kulmet e Kadaresë. Në këtë roman kemi kristalizimin e plotë të dispozitivit të tij stilistik, që vepron në tekst me gjithë plotfuqishmërinë e tij sugjestionuese. Fakt është që 20 000 kopjet e këtij botimi të parë janë tërhequr nga lexuesi brenda ditës. Ky ka qenë një rekord i papërsëritshëm. Së dyti, ndaj këtij romani, fill pas botimit, është orkestruar një fushatë kritike që ka zgjatur disa muaj. Në këtë fushatë, tipike për fushatat e vendeve të ish-Lindjes komuniste kundrejt veprave disidente, janë përfshirë si asnjëherë tjetër në historinë e letrave shqipe nën diktaturë, punëtorë, fshatarë, studentë, ushtarë, oficerë, reparte ushtarake, kritikë, studiues, zyrtarë të lartë, shkurt, i gjithë mekanizmi i propagandës komuniste. Dhe, gjithashtu, për herë të parë në historinë e raporteve të pushtetit komunist me letërsinë, në këtë fushatë është përfshirë edhe lideri komunist, Enver Hoxha, duke qenë dhe vetë personazh i këtij romani. Së treti, megjithëse kjo fushatë do të mjaftonte për t'i vënë këtij romani kurorën e disidencës së letërsisë shqiptare, receptimi i këtij teksti pas rënies së diktaturës prodhon një paradoks. Në fillimin e viteve '90, ky roman do të provojë periudhën e dytë të heshtjes ndaj tij. Më vonë, në debatet e gjera për disidencën shqiptare/ pafuqinë shqiptare për të prodhuar disidencë, ky roman zë kryet e vendit. Në një ekstrem, për të ripohuar karakterin pllakatesk e propagandistik të saj, nga ekstremi tjetër për të provuar nëpërmjet tij kulturën e simulimmanipulimit, pra, për të vërtetuar dhe nëpërmjet tij që në kulturën shqiptare kemi simulim të disidencës, kur kemi pasur thjesht vepra pllakateske komuniste, por dhe manipulimin publik nëpërmjet këtij simulimi. Në këtë kontekst, ky punim mëton t'i japë përgjigje edhe këtij paradoksi. Nga vjen ky? Mos vallë është teksti që e shkakton këtë paradoks receptues? Mirëpo, ndërkaq, si do të shpjegohej receptimi refuzues dhe fushata kundër botimit të tij të parë? Apo, përkundrazi, kemi një debat që shmang p avetëdijshëm raportet e drejtpërdrejta me tekstin duke dialoguar kësisoj me dekodimin komunist që iu bë këtij teksti pas botimit të dytë, në përputhje me qëllimet e propagandës komuniste? Pra, në receptimin pas viteve '90 të shekullit të kaluar, por dhe më vonë, mos vallë kemi të bëjmë, në të vërtetë me një dialog me mënyrën se si e përvetësoi propaganda komuniste këtë tekst për qëllimet e saj? DISIDENCË ESTETIKE-POLITIKE Në receptimin pas viteve '90 e këndej, ka autorë që konsiderojnë disidencën estetike të prozës së Kadaresë. Problemi këtu qëndron që, nëse një dispozitiv stilistik është njëkohësisht një këndvështrim i botës, në ç'raporte ishte/është ky këndvështrim me këndvështrimin marksist të botës? Dhe, nëse kjo pyetje merr përgjigje pozitive në tekst, disidenca estetike shndërrohet në disidencë politike. Është dhe ky rasti? Dhe, më tej, nëse mundemi t'u japim përgjigje këtyre pyetjeve me instrumente të stilistikës, stilistika provon vetveten si shkencë e kritikës së tekstit. Në këtë kuptim, "Dimri…", por dhe tekstet e tjera të Kadaresë, janë një sfidë dhe për stilistikën/ poetikën/kritikën e tekstit, e cila është e vetmja që mund t'u japë përgjigje shkencore paradokseve të receptimit. Por, dhe e vetmja që mund të japë përgjigje shkencore për individualitetet e letrave shqipe. KAPITUJT Punimi ka katër kapituj. Në kapitullin e parë: Receptimi i tekstit, jemi mbështetur në teorinë e receptimit të Jauss Hans. Në këtë kapitull kemi shqyrtuar receptimin e romanit në kohën e botimit, receptimin e tij pas ribotimit, si dhe receptimin e tij në vitet pas rënies së diktaturës. Në kapitullin e dytë: Tekst monologjik apo dialogjik/ polifonik, kemi shqyrtuar dispozitivin stilistik të Kadaresë te "Dimri…", gjegjësisht përkatësinë e tij stilistike. Meqë Bachtin e konkretizon konceptin e tij të dialogjikes te Dostojevski, e studiues të tjerë, te Joyce etj., ne mëtojmë të kemi provuar që, në dallim nga polifonikja te Dostojevski apo Joyce, Kadareja është unik në dialogjizmin/ polifoninë e tij. Së pari, se në tekstet e Kadaresë, ndryshe nga paraardhësit e tij të mëdhenj, autori tërhiqet në skemën e tij krijuese. Sipas mendimit tonë, të cilin e kemi vërtetuar në tekst, te Kadareja horizonti i autorit del në përgënjeshtrim të vetvetes. Ky mekanizëm stilistik te Kadareja krijon kushtet për arritjen e nivelit më të lartë të prozës polifonike, kontrapunktin. Në kapitullin e tretë: Ideologjemat versus klisheve, për herë të parë shqyrtohen ideologjemat e "Dimrit…" në raport me klishetë politike të diktaturës. Ky kapitull, në veçanti, është dhe guri i provës për karakterin disident/ socrealist të tekstit. Gjatë analizës së ideologjemave, ne mëtojmë të kemi provuar disidencën politike të tekstit, madje mëtojmë se në tekst kemi një Enver Hoxhë tjetër si personazh kundrejt Enver Hoxhës si diktator (Maska e Kadaresë). Në kapitullin e katërt dhe të fundit: Hipoteksti / Përbindëshi/ Djali me yll në ballë, kemi shqyrtuar hipo e hipertekstin, në përputhje me konceptin e Gerard Genette etj. Nga analiza ne kemi vërtetuar në tekst hipotekstin e kalorësit / djalit me yll në ballë që fluturon në strofullën e përbindëshit etj. Madje, kemi zbuluar në tekst dhe kokën e perëndisë sllave të stepës. "MENDIMI I MASËS" Hapja e diskutimit të gjerë për romanin "Dimri…" u bë në gazetën "Zëri i Rinisë". Kjo u paraqit si një nevojë, ngaqë fakti se si ishte trajtuar lufta e PPSH-së në roman "kishte ngjallur shumë diskutime në masën e lexuesve". Autori/lexuesi i shkrimit të parë për këtë diskutim ishte Robert Shalësi, që prezantohet si bashkëpunëtor tekniko-shkencor i ri pranë Qendrës së Matematikës Llogaritëse, nënkupto: lexues i ri, por i kualifikuar (Qendër Shkencore). Ja si ka reaguar kodi nëpërmjet tij: Paraqitja e unitetit Parti-Popull / karakteri i veprës së realizmit socialist: "E kemi jetuar atë periudhë dhe jemi dëshmitarë të heroizmit të partisë dhe të masave tona punonjëse për t'i bërë ballë bllokadës revizioniste, e kemi parasysh luftën dhëmb për dhëmb me revizionistët… Si lexues, duke pasur parasysh karakterin e veprave të realizmit socialist, prisja që pikërisht kjo të spikaste me forcë në këtë roman, por autori këtë nuk e ka realizuar dhe mendoj se është nga të metat themelore". Enver Hoxha, delegacioni/ e vetmja pjesë e mirë: "Në roman, lufta e shokut Enver Hoxha dhe e gjithë delegacionit të PPSH-së në Moskë… është realizuar me mjaft mjeshtëri nga autori dhe mendoj se është e vetmja pjesë e mirë e romanit". Errësimi i luftës / heroikja kundrejt errësimit: "Faqet e tjera të romanit, për mendimin tim, në vend që këtë luftë ta ngrenë më lart e errësojnë". Personazhet, klasa punëtore/ të deklasuarit: "Nuk ka asnjë përfaqësues të klasës punëtore, ka përfaqësim të klasave të deklasuara…" Shtresimi i personazheve/ brezat, lufta e brezave: "Kristaqi, Xhemal Struga, Liria e Raqi përfaqësojnë brezin e vjetër, ish-partizanë. KRITIKA Kritika e "zyrave" që ishte e destinuar "për përdorim të brendshëm" është më e ashpër. Por edhe ajo kontrollohet po nga i njëjti kod normativ, krejtësisht politik. Që tregon se si, nga pikëpamja e kritikës "së masës", si nga pikëpamja e kritikës "shkencore", si nga pikëpamja e kritikës "së zyrave", pra të brendshme, romani e kishte shokuar kodin dhe ai kishte shpërthyer kundër tij në të gjitha nivelet e saj. Kjo përputhje, në të tria nivelet që kemi parë deri tani, provon që ishte përgatitur/ pjekur gjithçka për një dënim shembullor të romanit dhe autorit të saj. Por, gjithnjë në përputhje me praktikat e sistemit, fjalën e fundit pritej ta thoshte autoriteti më i lartë i ligjërimit politik totalitar, Enver Hoxha. Ose, në rast të kundërt, pritej dënimi i veprës dhe autorit të saj. "DORA E NGROHTË E PARTISË" Megjithatë nuk ndodhi as njëra, as tjetra. Gjithçka thamë deri tani për receptimin nga kodi socrealist, në fakt kishte bërë gati të kundërtën, dënimin e veprës dhe të autorit. Por, në momentin e fundit, pasi është informuar për gjithçka, ndërhyn vetë diktatori Enver Hoxha. Ky është një rast unik në historinë e raporteve të diktaturës dhe të diktatorit me një tekst letrar. Diktatori, që kishte dhe aureolën e teoricienit të marksizëmleninizmit, pra dhe të teoricienit të "metodës", natyrisht që kishte ndërhyrë vazhdimisht në procesin letrar, por kishte bërë "përgjithësime teorike" për atë proces në tërësi. Fakti që ndërhyri Enver Hoxha në një fjalë që mbajti në Elbasan, duhet parë së paku në tri aspekte. Së pari, kodi në tri nivelet e tij, siç e pamë deri tani, kishte bërë presionin e duhur, pra kishte hapur rrugën për dënimin e veprës e të autorit dhe "masat punonjëse", sidomos "klasa punëtore", priste një përgjigje. Së dyti, Kadareja ishte një shkrimtar i përkthyer në Perëndim, madje i vetmi, dhe kjo do ta vinte diktatorin përballë reagimit perëndimor (disidenca). Së treti, Enver Hoxha ishte njëkohësisht dhe gjykatësi përfundimtar, por ishte dhe një personazh i romanit. Secili prej këtyre tri aspekteve ka ndikuar dhe sa për qëndrimin e Enver Hoxhës ndaj romanit dhe autorit të tij është përtej objektit të këtij punimi. Për ne është e rëndësishme të theksojmë që Enver Hoxha e riorientoi kodin, pra, siç u perceptua në atë kohë: "e mori në mbrojtje veprën". Por dhe autorin e saj. Por, nga ana tjetër, ky riorientim i kodit tregon qartazi që kodi asgjësoi vetveten. Dhe ky është rasti i vetëm kur kjo gjë ka ndodhur në periudhën e gjatë të raporteve të "udhëheqësit" me kodin. Një gjë që mund të ndodhë vetëm në diktaturë. Çka, në fund të fundit, tregon që diktatori, duke qenë autoriteti suprem i kodit, kishte fuqinë të vepronte edhe kundër pritshmërive të tij. Ja një skicim i "mbrojtjes" së romanit nga Enver Hoxha, siç del ajo në Veprën 51 të Enver Hoxhës: "Dora e ngrohtë": "Kritikat dhe vërejtjet për një vepër letrare duhen bërë me kujdes e me vend dhe të jenë shoqërore". Talenti / pozitivja / negativja: "Ismaili është një shkrimtar me talent. Si në veprat e tjera që ka shkruar deri tani, edhe në romanin 'Dimri i vetmisë së madhe' ka anë të mira pozitive. Natyrisht, në to gjen edhe ndonjë pjesë që është për t'u kritikuar dhe duhet korrigjuar. Prandaj, për të dhënë një gjykim të drejtë dhe objektiv të veprës së tij të fundit, ashtu si kurdoherë, edhe në rastin konkret, duhen parë dy anët e medaljes, në mënyrë që kritika që i bëhet të mos jetë e njëanshme". Ambienti shoqëror / përfaqësimi i realitetit: "Të gjitha këto ngjarje, si shkrimtar, Ismail Kadareja i ka vënë në një ambient të caktuar shoqëror dhe tamam këtu ka vend për t'i bërë atij kritika, pse ka gjëra që nuk shkojnë, që nuk përfaqësojnë si duhet realitetin tonë shqiptar". Besniku / Zana/ broduejsit: "Çështja nuk qëndron tek ajo pse u nda apo përse nuk u bashkua Besniku me Zanën, por në roman ka vend që të hiqen disa gjëra të tepërta, siç është, midis të tjerash, edhe ai i një grupi të rinjsh që kryejnë akte vagabondazhi". Qëndrimi i partisë sonë në Moskë / pastaj të metat: "Rëndësi të dorës së parë në roman ka qëndrimi i Partisë sonë në Moskë, që aty është paraqitur mirë dhe, pikërisht, kjo si pjesa më e rëndësishme duhet vënë në dukje në fillim, pastaj mund të flitet për anët e tjera, për dobësitë e veprës. Kjo anë duhet pasur mirë parasysh, pse pikërisht armiqve tanë revizionistë u intereson shumë dhe dëshirojnë që ky roman që demaskon qëndrimet e tyre, të hiqet nga qarkullimi dhe ca më mirë u intereson që të jemi vetë ne ata që të themi nuk bën dhe ta hedhim në ujë". Shkrimtari me horizont të gjerë kulturor, komunist / të metat do të ndreqen: "Kritika i bën mirë njeriut. Edhe Ismailit si kujtdo i bëjnë mirë këto kritika. Ai, si shkrimtar me horizont të gjerë kulturor dhe si komunist, do t'i rregullojë të metat e romanit, ndërsa çështja kryesore, që është shumë therëse për revizionistët sovjetikë, duhet të mbetet, të mos lëvizë asnjë çikë, se është goditur mjaft mirë". Të metat ideologjike / po përshkrimi i luftës kundër revizionistëve sovjetikë?: "Është, gjithashtu, i shpejtuar dhe jo i drejtë mendimi i disave që thonë se Ismaili nuk është në pozita të shëndosha ideologjike. Po të qe i tillë, ai nuk do ta përshkruante drejt luftën e Partisë sonë kundër revizionistëve sovjetikë. Duhet pasur pastaj parasysh se nuk ka qenë punë aq e lehtë për të që ta trajtonte në mënyrë të përsosur këtë temë, e para e këtij lloji në letërsinë tonë artistike". Nga ky skicim del që Enver Hoxha, ashtu si dhe kodi, ka pranuar se është përshkruar drejt lufta e partisë sonë kundër revizionistëve sovjetikë. Këtu na del aspekti i dytë që theksuam më lart, pra Enver Hoxha si personazh, roli i tij, historikja etj. Dhe, pikërisht këtë aspekt të veprës që dhe vetë kodi e kishte pranuar, Enver Hoxha ia kundërvë vetë kodit. Duke e marrë në mbrojtje veprën dhe autorin e saj nga pretenca që kishte dhënë kodi: të metat ideologjike, për të cilat të priste ndonjë nga burgjet shqiptare. ROMANI I RIPUNUAR, NJË TRUKIM Romani i Ismail Kadaresë është një afresk i gjerë që përshkruan së brendshmi botën komuniste dhe që sjell një galeri personazhesh: që nga Enver Hoxha, sekretar i Parë i KQ të Partisë së Punës, që kundërshtoi e sfidoi Hrushovin, deri te komunistët më të rinj, nga ishborgjezët e deklasuar te fshatarët, nga intelektualët te njerëzit politikë, pa harruar as dhe fshesaxhiun e rrugëve – një botë e tërë në lëvizje që shfaqet para nesh me fytyrën e saj thellësisht njerëzore. Pas "ripunimit", kemi një qëndrim krejtësisht tjetër. Tashmë romani, pas një heshtjeje trevjeçare, bëhet pjesë e analizave "kritike", futet nëpër tekstet shkollore, komentohet, zë vend si pjesë përfaqësuese e Kadaresë në tekstet shkollore të shkollave të mesme etj., etj. Pra, glorifikohet. E kemi thënë sesa dhe në ç'masë fjala "ripunim" që përdori kritika zyrtare është për t'u diskutuar. Nga një krahasim i çfarëdoshëm i dy teksteve, pra "Dimrit të vetmisë së madhe" dhe "Dimrit të madh", sipas mendimit tonë, më tepër sesa me një "ripunim" sipas "vërejtjeve të partisë", kemi të bëjmë me një trukim.
*Pjesë nga libri





