Krujë, 13 shtator 2014 – Vret të vëllanë se i mori pronësinë mbi lokalin. Krimi brenda familjes tronditi dje në mëngjes rrethin e Krujës, kur Petrit Marku, 45 vjeç, ekzekutoi me armë zjarri vëllain e tij 52- vjeçar, Pal Markun, baba i 3 fëmijëve.Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 08:25, në fshatin Bushnesh, pas së cilës autori u vetëdorëzua në polici.
VRASJA
Sipas Policisë, vëllezërit kishin një konflikt pronësie, i lindur që prej shpërnguljes së tyre nga Puka në fshatin e Krujës. Burime nga grupi hetimor që po punon për zbardhjen e ngjarjes sqaruan se bëhet fjalë për një lokal, të cilin e kishte ndërtuar Petriti me të ardhurat që fitonte nga emigrimi. Por gjatë kohës që ky i fundit punonte në Greqi, vëllai i tij Pal Marku kishte bërë dokumentacionin në favor të tij, duke e hedhur mbi vete pronën. Këtë fakt Petriti e kishte pikasur pas kthimit nga emigrimi, gati 1 vit e gjysmë më parë dhe që nga ajo periudhë nisën grindjet mes vëllezërve. Situata ka qenë e nderë derisa dje arriti kulmin duke gjeneruar në përdorimin e armëve dhe si pasojë mbeti i vrarë 52-vjeçari. Konflikti, sipas Policisë, mes vëllezërve arriti pikën kritike në çastin kur Pali, i cili kishte përvetësuar lokalin, nuk lejonte Petritin ta shiste pronën, duke i shpjeguar se ishte e tij. Në pamundësi për të gjetur gjuhën e përbashkët, mëngjesin e djeshëm Petrit Marku është nisur drejt servisit të të vëllait (që ndodhet fare pranë me lokalin) dhe ka qëlluar disa herë në drejtim të tij me pistoletë, duke e lënë të vdekur në vend. Fill pasi kreu krimin, 45-vjeçari u vetëdorëzua në komisariatin e Policisë në Laç, së bashku me armën e krimit (pistoletë model 54), ku rrëfeu me detaje ngjarjen dhe arsyet që e kishin detyruar të ndërmerrte aktin ekstrem. Policia e Kurbinit vuri në dijeni drejtorin e Policisë së Qarkut Durrës për ngjarjen e rëndë, pasi territori ku kishte ndodhur krimi mbulohej nga ky institucion. Menjëherë pas informacionit, një grup hetimor zbarkoi në fshatin Bushnesh, ku dhe nisi nga puna për zbardhjen e plotë të ngjarjes, si dhe rrethanat në të cilat ndodhi.
HETIMET
Grupi hetimor i ngritur për zbardhjen e krimit, paraprakisht ka dalë në konkluzionin se ngjarja ka si motiv pronësinë. Mbështetur në deklaratat e autorit të vetëdorëzuar në polici, hetuesit dolën në përfundimin se vëllezërit kishin konflikte të vazhdueshme për pronësinë e një lokali. “Ata konfliktoheshin prej kohësh për pronësinë e një lokali. Lokali është ndërtuar nga Petrit Marku, por gjatë kohës që ky i fundit ndodhej në Greqi, vëllai i tij Pal Marku kishte kryer të gjitha procedurat duke e hedhur pronën mbi emrin e tij. Gjithçka është kuptuar kur Petriti kishte dashur të shiste lokalin, pasi papritur është përballur me vëllain, i cili nuk lejonte procedurat e shitjes, sepse rezultonte të ishte ai pronari i ndërtesës. Kjo ka detyruar Petritin të bëjë vetëgjyqësi, duke qëlluar disa herë me pistoletë vëllain, i cili gjeti vdekjen e menjëhershme”, sqaruan për gazetën burime nga grupi i hetimit.
Autori: Nuk kisha zgjidhje tjetër
Petrit Marku, pasi u vetëdorëzua në polici, deklaroi për grupin hetimor se ishte detyruar të kryente vetëgjyqësi, duke qëlluar për vdekje vëllain e tij 52-vjeçar. “Rrethanat më detyruan të ndërmerrja këtë akt. Nuk kisha zgjidhje tjetër, pasi vëllai ma kishte sjellë në majë të hundës. Ma kishte punuar mbrapa krahëve, duke më vjedhur djersën e ballit. Jam njeri punëtor dhe që shikoj hallet e mia, prandaj nuk e durova dot këtë padrejtësi. Lokalin e kam ndërtuar me paratë e kurbetit. Ia kisha lënë në mirëbesim të kryente dokumentet për legalizim, por ai e kishte hedhur pronën mbi vete, duke më nxjerrë totalisht jashtë lojë. Nuk dija gjë deri në momentin kur desha ta shisja lokalin. Sot shkova te servisi ku punonte për t’u sqaruar, por u përballa me nënvlerësimin e tij. Më tha m’u hiq qafe se nuk të njoh fare. Aty nuk durova dhe e qëllova disa herë. Më pas u dorëzova”.
/gazeta "Panorama"/





