Durrës, 13 shtator 2014 – Teuta do të presë në "Niko Dovana" Laçin, në një përballje ku durrsakët kërkojnë fitoren. Laçi konsiderohet kundërshtar shumë i vështirë, por jo i pathyeshëm. Portieri dhe kapiteni i Teutës Bledian Rizvani e cilëson një përballje delikate, ndërsa thekson se objektivi janë vetëm tre pikët. Portieri nënvizon se skuadra është gati për të fiksuar tre pikëshin e radhës.
"Laçi është një kundërshtar shumë i vështirë, por ne kemi besim tek forca tonë dhe besoj se do të fiksojmë trepikëshin e radhës. Morëm një fitore bindëse ndaj Elbasanit, por duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe t'i marrim ndeshjet një e nga një. Skuadra ka punuar shumë përgjatë kësaj jave, duke mos pushuar as pas ndeshjes me Elbasanin, me qëllim që të përgatiteshim sa më mirë për sfidën e radhës. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm në të gjitha drejtimet, sepse kundërshtari është mjaft i rrezikshëm dhe mund të ndodhemi në ndonjë situatë të pakëndshme. Skuadra u ka dhënë fund përgatitjeve në kuadër të kësaj përballje dhe po presim me padurim për të zbritur në fushë dhe për të marrë një tjetër fitore” thote Rizvani.
Trajneri Hasan Lika do të ketë të gjithë grupin në dispozicion për sfidën që Teuta do të zhvillojë në "Niko Dovana" me Laçin. Kundërshtarin e vlerësojnë maskimalisht, por në kampin durrsak besimi për të fiksuar një tjetër fitore nuk mungon. Rizvani deklaron se i gjithë grupi është në gatishmëri të plotë dhe me besim në vetvete, për arritjen e një tjetër rezultati pozitiv.
"I gjithë grupi do të jetë në dispozicion për këtë ndeshje. Në skuadër kemi lojtarë shumë cilësor, të cilët nëse do të jenë në një ditë të mirë mund të përsërisin suksesin ndaj Elbasanit. Laçi është skuadër më e fortë se Elbasani, por përveçse e vlerësojmë si ekip nuk na tremb kurrsesi. ne kemi besim tek aftësitë dhe forca jonë dhe do të futemi në fushë, me qëllimin për të bërë një paraqitje të mirë dhe për të fiksuar trepikëshin e radhës. Jemi koshient që nuk do të jetë e lehtë, por përpara tifozerisë sonë ne do të japim maksimumin për t'i lumturuar tifozët me rezultatin, por edhe t'i kënaqim me lojë. Skuadra është ngritur moralisht pas triumfit me Elbasanin dhe asgjë nuk na pengon për të marrë fitoren e radhës. Si kapiten i skuadrës kërkojë mbështetjen e tifozerisë sonë, e cila është lojtar i 12 për ne. Me tifozët në shkallët e stadiumit, nuk ka diskutim që fitorja do të jetë e jona. Laçi është një kundërshtar, të cilin e vlerësojmë maksimalisht, pasi ka një grup mjaft cilësor lojtarësh. Gjithsesi, ne fituam besimin që na mungonte si një skuadër e re që jemi dhe tashmë nuk na frikëson asnjë kundërshtar, pavarësisht potencës që ka. Për ne fitorja është detyrim, pasi vetëm kështu mund ta arrijmë atje ku duam", përfundoi Rizvani.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





