DURRËS, 13 shtator 2014 – Dy lëkundje të njëpasnjëshme në orët e para të mëngjesit të së shtunës 13 korrik 2014, në detin Adriatik, në jugperëndim dhe veriperëndim të Kepit të Bishtit të Pallës (ushtria shqiptare përdor termin Kepi i Palit), ka alarmuar forcat britanike e shqiptare në bazën ushtarake-detare, pjesëmarrëse në stërvitje të përbashkët.
Rrjetet sizmike shqiptare dhe ndërkombëtare kanë njoftuar se më 13 shtator 2014 kanë rënë dy tërmete në harkun e dy minutave: i pari ora 4:11:41 (ora verore e Shqipërisë) me magnitudë 2,5, 14 km në vijë ajrore në jugperëndim të Kepit të Palit, në koordinatat 41.36° V, 19.17° L, me epiqendër në thellësinë 10 km; i dyti rreth 2 minuta më vonë, ora 4:13:48, me magnitudë më të madhe, 2,7, 1 km në vijë ajrore në veriperëndim të Kepit të Palit, në koordinatat 41.43° V, 19.3° L, edhe ky me epiqendër në thellësinë 10 km.
Dukuria sizmike detare ka shkaktuar ngritje dallgësh të mëdha dhe lëkundjet e dy goditjeve të lehta tektonike janë ndier në vijën bregdetare nga Durrësi deri në Lezhë, por që nuk ka njoftime zyrtare për dëme materiale apo viktima.
Por, sigurisht, këto tërmete kanë shkaktuar shqetësim në bazën ushtarake, ku janë vendosur forca britanike dhe shqiptare, në suazë të stërvitjes së përbashkët “Albanian Lion 2014”, që ka filluar më 30 gusht dhe do të përfundojë më 16 tetor 2014.
Gjatë kësaj faze të stërvitjes po shfrytëzohet Kepi i Palit për bazë furnizimi logjistik, si dhe për largimin e trupave dhe automjeteve pjesëmarrëse.
Por ka dy përkime: më 18-31 gusht 2014 në Slloveni u zhvillua një stërvitje ndërkombëtare e forcave detare për përballimin e tërmeteve, e quajtur Exercise Immediate Response 14. Në të morën pjesë mbi 900 ushtarakë kryesisht amerikanë, sllovenë dhe kroatë, me kontingjente nga Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Danimarka, Hungaria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Mbretëria e Bashkuar.
Po më 13 shtator 2014 u paralajmërua një vizitë e Presidentit të Republikës, komandant i përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Shqipërisë, z. Bujar Nishani, në Kepin e Palit, për t’u takuar me pjesëmarrësit në stërvitjen e përbashkët britanike-shqiptare.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





