Tiranë, 12 shtator 2014 – Akt të një shteti policor e stalinist dhe mllef të Ramës, ndaj zonjes Fullani, që i ka bërë gjyqin kur mohonte djalin, e ka quajtur ish kryeministri Berisha, arrestimin e ish guvernatorit të BSH, Ardian Fullani.
Në një deklaratë për mediet, Berisha ka vlerësuar maksimalisht Fullanin për ruajtjen e stabilitetit financiar në vend, ndërkohë që qeveria e tij ka ruajtur pavarësinë e plotë të BSH.
“Arrestimi i Fullanit akt stalinist i një shteti policor, klike mafioze që e dënoj me ashpërsinë më të madhe, unë e di se mund të ketë qytetarë që nuk e pëlqejnë këtë deklaratë, por u them mendoni pak si do u dukeshin të arrestoheshin pa u pyetur si e ke emrin ju dhe familjarët tuaj. Kjo nuk ndodh në një vend të lirë, ndodh në shtete policeske. Kam kërkuar hetimin më të plotë të të gjithë atyre që janë në bankë, të lidhur ose jo me këtë akt të shëmuar, vjedhjen në kasafortën më sekrete, por të arrestosh guvernatorin për mllefe politike se këto i ke përshkruar te “Kurbani”, të arrestosh se gjete faktin se e shoqja të ka bërë gjyqin kur mohoje djalin dhe të ka detyruar të pranosh djalin, të lashe duart si pilati duke mobilizuar Fugat e sterfugat për t’ja veshur Berishës një akt të tillë je me i lig se çdo ligësi tjetër”- tha Berisha.
Berisha ka sqaruar se nuk ka asnjë lidhje me Fullanin përpos asaj të punës.
“Ai është propozuar në kohën e qeverisjes socialiste dhe ne e riemëruam, pasi ai ruajti stabilitetin finaciar dhe pavarësinë e BSH” – tha Berisha, duke shtuar se shifrat flasin qartë për paratë që ka marrë qeveria e tij krahasuar me qeveritë socialiste.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





