Tiranë, 12 shtator 2014 – Duket se Prokuroria e Tiranës ka ‘kryqëzuar’ me një tjetër akuzë Guvernatorin e shkarkuar të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani. Pas akuzës së shpërdorimit të detyrës, prokurori Ramadan Troci ka hapur një tjetër dosje korrupsioni në ngarkim të Ardian Fullanit, duke rënduar më tej pozitat e këtij të fundit, sic shkruan gazeta “Sot”. 

Bëhet fjalë për tenderat, shpenzimet, kontratat abuzive të qirave dhe për zgjatjen e rikonstruksionit të godinës së Bankës së Shqipërisë për interesa të klientëve të ish guvernatorit. 

Të gjitha shkeljet janë konstatuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Ndërkaq, Ramadan Troci ka vendosur që dosjen në fjalë t’ia bashkojë dosjes tjetër të Ardian Fullanit, e cila lidhet me veprimet dhe mos veprimet e tij që çuan në vjedhjen e Thesarit të Bankës së Shqipërisë. 

Sipas burimeve për gazetën “Sot”, prokurori Ramadan Troci ka bërë pjesë të hetimit dosjen e KLSH me shkeljet e Fullanit, ndërsa Ardian Bitraj, Klevis Bitraj dhe Mimoza Bruzia do të hetohen më vete nga prokuroria. Sipas nenit 260 të Kodit Penal, abuzimi me tenderat dhe kontratat nga zyrtarët e lartë, dënohet nga 4 deri në 12 vjet burg.

“Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë. (Ndryshuar me ligjin nr. 9275, datë 16.9.2004, neni 23) Kërkimi ose marrja, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çdo lloj përfitimi të parregullt apo i një premtimi të tillë, për vete ose për persona të tjerë, ose pranimi i një oferte a premtimi që vjen nga përfitimi i parregullt, nga funksionari i lartë shtetëror ose i zgjedhuri vendor, për të kryer ose mos kryer një veprim që lidhet me detyrën a funksionin e tij, dënohet me burgim nga katër deri në dymbëdhjetë vjet dhe me gjobë nga një milion deri në pesë milionë lekë”,thuhet në nenin 260.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/