DURRËS, 12 shtator 2014 – Kryepolici i Shqipërisë z. Artan Didi synon reformimin e marrëdhënieve me mediet.
Më 12 shtator 2014, para dite, në mjediset e pallatit të kulturës “Aleksandër Moisiu”, komisar Tefik Sulejmani, zëdhënës në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, organizoi një takim me përfaqësues të medieve të Durrësit, takim që do të pasojë edhe 11 në qarqet e tjera.
Z. Sulejmani tha se këto këshillime janë me porosi të drejtorit të përgjithshëm, z. Artan Didi, ku synohet një përmirësim i komunikimit me mediet në të gjithë vendin.
Gazetarët dhe kameramanët e Durrësit ngritën një sërë shqetësimesh, sidomos me sigurinë e tyre gjatë operacioneve, në skenat e krimit, seancat gjyqësore.
Po ashtu u kërkua që uniformat blu të terrenit të jenë më të sjellshëm me mediet, pasi janë vërejtur qëndrime skandaloze në etikë.
Po ashtu, u vu në dukje se ka ndonjë televizion të privilegjuar lajmesh me titra për shpejtësinë e dhënies së informacionit.
U bënë vërejtje për saktësinë e të dhënave, duke përmendur ngjarje konkrete.
Kameramanët thanë se shumë aspekte negative të etikës së punonjësve të rendit nuk i kanë bërë publike për shkak të marrëdhënieve të mira me zëdhënësen e drejtorisë së policisë së qarkut të Durrësit, znj. Ornelë Çako.
I dërguari i z. Didi për marrëdhëniet me publikun, komisar Tefik Sulejmani shprehu mirëkuptimin dhe premtoi relatimin e problemeve.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





