Xhelilaj: Kreu i DAR-it Linditë Mukaj e ka konsideruar më të rëndësishëm takimin në Ministrinë e Arsimit e Sportit se sa atë me Prefektin

DURRËS, 12 shtator 2014 –  Prefekti i qarkut, z. Rolant Xhelilaj, katër ditë para fillimit të vitit të ri shkollor 2014-2015, mbledh përfaqësues të arsimit, pushtetit vendor, policisë së shtetit, shërbimit të higjienës për të diskutuar problematikat e sigurisë dhe rendit publik në institucionet mësimore.

Më 12 shtator 2014, në mesditë, Prefekti i qarkut, z. Rolant Xhelilaj, u takua me përfaqësues të drejtorisë rajonale të arsimit (DAR), përfaqësues të pushtetit vendor, përfshirë kryetarin e Këshillit të Qarkut z. Alfred Mullaraj, kryetarin e bashkisë së Shijakut z. Indrit Buka, kryetarin e komunës së Ishmit z. Sulejman Ibrahimi dhe me pjesëmarrjen e drejtorit të policisë së shtetit të qarkut z. Perlat Çullaj, rektorit të universitetit publik “Aleksandër Moisiu”, z. Mithat Mema dhe shefit të shërbimit të higjienës në drejtorinë rajonale të shëndetit publik, z. Nestor Memsuri.

Nevoja e bashkëpunimit

Z. Rolant Xhelilaj u përqendrua në fjalën e tij, në prag të vitit të ri arsimor 2014-2015 që nis më 16 shtator 2014, në rritjen e sigurisë dhe forcimin e rendit publik në shkolla.

Z. Xhelilaj e vuri theksin në partneritetin shkollë-pushtet vendor-polici shtetit-prindër.

Prefekti kërkoi nga policia rrugore dhe bashkitë vendosjen e sinjalistikës pranë shkollave si kudo në botë, vijëzimet e rrugëve drejt objekteve mësimore.

Z. Xhelilaj sugjeroi krijimin e grupeve vullnetare të personelit pedagogjik, prindërve dhe uniformave blu për krijimin e kordonëve për shoqërimin e fëmijëve të ciklit të ulët; ndërkohë propozoi dhe vendosjen e kamerave të sigurisë.

Nga policia e shtetit u kërkua shtimi i kujdesit për parandalimin e ngjarjeve e konflikteve dhe shpërndarjes së drogave.

Jashtë vëmendjes së fjalës së Prefektit Xhelilaj nuk mbetën as aspektet higjieno-sanitare në shkolla, ku ka probleme të mbartura nga e kaluara.

Transporti i nxënësve në fshatrat e largëta

Kryetari i këshillit të qarkut z. Alfred Mullaraj foli për angazhimin e njësive të qeverisjes vendore për një fillim të mbarë të vitit të shkollor, ku përmend një marrëveshjen e lidhur me DAR-in për transportin e nxënësve nga fshatrat e largëta dhe shprehu besimin se ky vit shkollor do të jetë nga më të mirët.

Lidhur me frekuentimin e shkollave nga nxënësit e fshatrave të largëta, shprehu shqetësimin edhe kryetari i komunës së Ishmit z. Sulejman Ibrahimi, duke shprehur pakënaqësinë ndaj DAR-it, pasi sipas tij për mungesë transporti, nxënësit mund të mos paraqiten për mësim ditët e para të shkollës, por z. Xhelilaj garantoi se problemi do të zgjidhet brenda këtyre ditëve, nisur dhe nga marrëveshja e këshillit të qarkut me DAR-in.

Shijaku dhe Ishmi, të pakënaqur me DAR-in

Kryebashkiaku i Shijakut z. Indrit Buka tha se kjo mbledhje mund të ishte organizuar më parë, duke kërkuar më shumë përfaqësim nga arsimi (Prefekti sqaroi se drejtorja znj. Linditë Mukaj ka zgjedhur si më të rëndësishme një mbledhje në Ministrinë e Arsimit e Sportit se sa atë me Prefektin).

Buka ka kritikuar ashpër DAR-in për mosbashkëpunim me bashkinë e Shijakut, ku ka disa probleme të mprehta.

Kreu i qytetit buzë Erzenit tha se bashkia i ka kthyer në kantiere ndërtimi shkollat, që po riparohen dhe lyhen.

Parandalimi i ngjarjeve kriminale 

Drejtori i Policisë së Shtetit për qarkun, z. Perlat Çullaj ka pranuar se vitin e kaluar kanë ndodhur ngjarje të rënda kriminale nëpër shkolla, sikurse janë vrasjet, konfliktet etj.

Z. Çullaj tha se është bërë një plan masash për rritjen e sigurisë dhe rendit në shkolla, por këtu kërkohet dhe angazhimi i stafeve pedagogjike, këshillave të prindërve dhe pushtetit vendor, duke e vënë theksin në punën parandaluese, sidomos në luftën kundër shpërndarjes së narkotikëve.

Kujdes me tualetet

Shefi i shërbimit të higjienës në drejtorinë rajonale të shëndetit publik, z. Nestor Memsuri kërkoi marrjen e masave urgjente, pasi dy shkolla dhe dy kopshte fëmijësh janë të mbyllura.

Z. Memsuri vuri theksin dhe në luftën kundër duhanit dhe alkoolit, duke i bërë thirrje policisë së shtetit për mbylljen e subjekteve tregtare 50 metra nga rrethimi i shkollave.

/ th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/