Shkodër, 11 shtator 2014 – Të tilla pamje nuk janë marrë nga ndonjë luftë, por gjatë ndeshjes Vllaznia – Tirana, në “Loro Boriçi”. 

Tifozëritë e të dyja skuadrave kanë qëlluar njëra-tjetrën me sende të forta, ndërkohë që gurëve nuk i ka shpëtuar as presidenti Refik Halili, i cili është gjakosur në kokë.

Fusha, e cila deri në ato momente ishte shfrytëzuar për një ndeshje futbolli, tashmë ishte kthyer në një arenë gladiatorësh, ku çdokush mund të qëllonte pa asnjë problem, ndërsa policia u tregua e pafuqishme për të qetësuar situatën.

Mësohet se nga situata e tensionuar mes dy tifozerive jashtë ambienteve të stadiumit “Loro Boriçi”, ka mbetur i plagosur me thikë një person. 

Sipas TCH, janë 5 efektivë të forcave policore të plagosur, 2 prej të cilëve me plagë në kokë, por për fat të mirë askush nuk është në rrezik për jetën. Ashtu sikurse janë dërguar në spital 6 tifozë, pa u specifikuar se të cilit ekip, sërish me plagë në kokë, por edhe këtyre nuk u rrezikohet jeta.

Ndërkohë, nga raportime të mëparshme nga vendngjarja, është mësuar se tifozeritë kanë qëlluar me karriget e stadiumit dhe shishe. Blutë e Shkodrës kanë qëlluar në ajër me armë për të shpërndarë tifozët pas ndeshjes, por kjo ka qenë e kotë, pasi sherri u zhvendos edhe jashtë stadiumit.

Tifozët kanë dëmtuar edhe makina të shumta, ndërsa policia, në pamundësi për t’i shpërndarë, ka futur brenda stadiumit tifozët e Tiranës, me shpresën se do të largohen tifozët e Vllaznisë. 

Incidentet, reagojnë Policia e Shtetit dhe ministrja Nikolla

Pas incidenteve mes tifozerive të të dy ekipeve, Vllaznisë dhe Tiranës, gjatë dhe pas ndeshjes së zhvilluar në stadiumin “Loro Borici” të Shkodrës, ka reaguar edhe Policia e Shtetit, e cila njofton se tashmë situata është normalizuar, ndërsa thekson se ndërhyrja e policisë bëri të mundur parandalimin e përshkallëzimit të situatës.

“Do të merren të gjitha masat për identifikimin dhe vënien para përgjegjësive të autorëve të këtyre incidenteve, si dhe do të ndërmerren masat ligjore edhe ndaj organizatorëve të aktivitetit”, deklaroi në njoftimin për shtyp Policia e Shtetit. Ndërsa sa u përket tifozëve të Tiranës, policia tha se ata do të shoqërohen nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë.

Ndërkohë, ka reaguar edhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, e cila është shprehur se “ajo që ndodhi në Shkodër është një turp për të gjithë shqiptarët. Dhuna nuk ka asgjë të përbashkët me dashurinë për futbollin, ndaj dhe do të merren masat urgjente, pa neglizhuar asnjë përgjegjës”.

Në fund, ministrja e Arsimit dhe Sportit tha se ky turp që ndodhi në Shkodër nuk duhet të përsëritet më.