Athinë, 11 shtator 2014  – Të shpallur në kërkim dhe të dënuar për vrasje për masakrën e ndodhur në fshatin Qelëz të Pukës, dy vëllezër janë vënë në prangat e policisë greke.

Anton Permarkaj dhe Sokol Permarkaj, të cilët në muajin korrik u dënuan me burg përjetë, janë vënë në pranga në shtetin fqinj, në sajë të urdhër arrestit ndërkombëtar të lëshuar ndaj tyre.

Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më 29 qershor të vitit 2012, në fshatin Mardhnac të komunës Qelëz në Pukë, Anton Permarkaj, Sokol Permarkaj, Bardhok Permakaj (vëllezër) dhe Fran Permakaj (djali i xhaxhait të tyre), u zunë pritë dhe qëlluan me armë zjarri në drejtim të anëtarëve të familjes Markaj.

Nga goditjet e të sipërpëmendurve mbetën të vdekur Paulin dhe Hilë Markaj, si edhe të plagosur Tone Markaj, Angjelina Markaj dhe Alfons Markaj.

Konflikti ndërmjet familjeve Permarkaj dhe Markaj kishte nisur disa kohë më parë se të ndodhte ngjarja kriminale, për shkak të një toke që i ishte lënë në përdorim familjes së të pandehurve.

Gjykata e Pukës, në 10 korrik të këtij viti, dënoi me burgim të përjetshëm  dy vëllezërit Anton dhe Sokol Permarkaj, ndërsa vëllai i tyre Bardhok Permarkaj u dënua me 24 vjet burg. Me 22 vjet burg u dënua edhe djali i xhaxhait të tyre, Fran Permarkaj.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/