· Mbledhja për konstituimin e kryesisë së degës lokale të PD-së në Durrës degjeneroi në debate, sherre e mosmarrëveshje
· Do të ishte dyfish mëkat, që e majta durrsake, jo për meritë të saj, ta fitonte betejën e vitit 2015 thuajse afrofe
Nga Gjergj Thanasi
Durrës, 11 shtator 2014 – Pas humbjes së thellë të vitit 2013, dega lokale e PD-së në Durrës, njëlloj si kudo në Shqipëri, u gjend në ditë të hallit. Pas tetë vitesh në pushtet, normalisht një humbje e tillë ishte tronditëse. PS-ja vetë, në vitin e largët 2005, ndonëse humbi më butë se PD-ja në vitin 2013, prapë se prapë ishte si miza pa kokë. Në Durrës, PS-ja e asaj kohe hyri në zgjedhjet lokale me një frymë disfatiste me objektivin të kapim ç’të kapim, bereqaves po morëm kaq e aq këshilltarë bashkiakë.
Këtë verë, ndonëse periudhë pushimesh, PD-ja durrsake u duk sikur u zgjua nga gjumi. Nga fundi i gushtit, megjithëse me zë shumë të mekur mediatikisht (thuajse vetëm në një faqe interneti), filloi të prononcohet për problemet e Durrësit dhe të durrsakëve. Kuptohet disa nga këto probleme ishin tejet periferike, por ama disa të tjera ishin të mprehta dhe të dhimbshme për qytetarët.
Fatkeqësisht, bjerrja morale e PD-së pas humbjes katastrofike në vitin 2013 qenka më e thellë dhe më pak e riparueshme se ç’dukej. Në këtë konkluzion na çon një ngjarje e ditës së djeshme. Mbrëmjen e së mërkurës pati një tentativë për të konstituuar (mbledhur) kryesinë e re të degës së PD-së Durrës. Takimi degjeneroi në debate, sherre e mosmarrëveshje midis debutetëve lokal. Si përfundim nuk u arrit as të zyrtarizohej kryesia e degës. Pikërisht për të mos bërë publik dështimin, mbledhja u shty për një ditë tjetër (Ditën e Premte).
Mjafton ky fakt për të kuptuar sesa e papërgatitur është ende PD-ja durrsake dhe kryetari i saj, Osman Stafa për mega-betejën elektorale të vitit 2015. Kur nuk arrin të konstituosh kryesinë e degës d.m.th. shtabin, që do të merret me drejtimin e PD-së vendore, që do të drejtojë betejën elektorale, që do të jetë përgjegjës për t’i bërë opozitë të majtës PS-LSI në pushtet, në Bashki, Qark e Qeveri sa janë shanset për fitore?!
Kur nuk bëhen bashkë një grusht burrash e grash për të mobilizuar elektoratin e djathtë për betejë, sa mund të fitohet kjo betejë, nga një shtab, që nuk është shtab?!
Shkurt puna, është e turpshme, që para Vangjush Dakos, gjithsesi të konsumuar nga mandat i dytë si kryebashkiak, nuk qëndron askush. Është gjynah që para gabimeve, të metave, demagogjive, në disa raste edhe arrogancës së të kuqve në pushtetin qendror dhe vendor gjendet një PD-blu, e zbërdhyltë, e telekosur si mos o zot.
Do të ishte dyfish mëkat, që e majta durrsake, jo për meritë të saj, ta fitonte betejën e vitit 2015 thuajse afrofe. Durrsakët meritojnë më shumë. PD-ja ka më shumë potenciale. Fundi i fundit, PD-ja në Durrës nuk përbëhet vetëm nga ish drejtorë hajdutë e të degjeneruar deri në palcë. PD-ja është e djathta, është pjesë thelbësore e demokracisë, është instrument opozitar për të korrigjuar gabimet e teprimet e stërmaxhorancës së majtë në pushtet.
Fatkeqësisht, kur je thuajse inekzistent, nuk mbetet kush, veç medieve, shoqërisë civile apo edhe zemërimit popullor, për të realizuar bazën e demokracisë: Kontrollin dhe Balancimin (check and balance).
Shpresa vdes e fundit! Le të shpresojmë, që shirat e vjeshtës t’ia nxjerrin “gjumin” PD-së durrsake.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





