Durrës, 11 shtator 2014 – Konfliktet për pronën, vazhdimisht kanë shkaktuar në vendin tonë viktima ose kanë krijuar situata absurde midis personave të përfshirë në konflikt.

Zvarritja e konflikteve të pronësisë nëpër gjykata, ka bërë që shpesh qytetarët të kërkojnë të bëjnë vetëgjyqësi.

I tillë ka qenë rasti më i fundit i regjistruar në qytetin e Durrësit.

Policia ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë ndaj 55 vjeçares F.A., e cila prej kohësh konfliktohej me komshinjtë e saj.

Pretendimi se trualli nëpër të cilin kalonin familjarët e shtetases V.K., 41 vjeçe, për të hyrë në shtëpi ka shtyrë 55 vjeçaren të ndërmarrë një masë ekstreme.

Me një palë zinxhirë, ajo ka bllokuar portën hyrëse në banesë për fqinjët e saj, duke pretenduar se ata nuk duhet të kalonin më nga aty.

Të ndodhur para një situate të tillë, fqinjët kanë njoftuar policinë për t’i dhënë zgjidhje konfliktit.

Duket se 55 vjeçares F.A. nuk i ka mjaftuar grindja me fqinjët, por e ka vazhduar atë edhe me punonjësit e rendit që ndërhynë për të rikthyer normalitetin në marrëdhëniet mes dy familjeve.

Efektivët e rendit, pasi kanë hequr zinxhirët që bllokonin hyrjen në banesë, kanë shoqëruar në komisariat 55 vjeçaren, që akuzohet tashmë për “Vetgjyqësi” dhe “Kundërshtim i punonjësit të policisë”.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/