10 shtator 2014 –  Autoritetet e Interpolit të Francës u kanë dërguar pak ditë më parë homologëve shqiptarë, një informacion rreth situatës së gjetjes së trupit të pajetë të 33-vjeçares Silvana Beqiraj në ujërat e një kanali në Lunel të Montpelierit. 

Nga burime të bluve, mësohet se dy ditë më parë, informacioni ka mbërritur edhe në Policinë e Fierit, e cila ka njoftuar familjarët e viktimës që jetojnë në fshatin Havaleas të këtij rrethi.

Letërporosia

Sipas burimeve, autoritetet e drejtësisë franceze kanë sqaruar se nga hetimet paraprake që janë kryer, kanë ngritur dyshimet se e reja mund të jetë vrarë. Ndërkohë, mësohet që ata të kenë kërkuar edhe informacione rreth konflikteve të mundshme që mund të ketë pasur viktima në të kaluarën. Ndonëse në këtë informacion të përcjellë prej Interpolit Francez nuk ka pasur detaje të hollësishme rreth situatës dhe kushteve në të cilën u gjet trupi i pajetë i 33-vjeçares, kanë konfirmuar se bëhej fjalë për një vrasje të mundshme dhe jo për një ngjarje aksidentale. Burimet policore pohojnë se nuk ka pasur detaje të ekspertimit mjekoligjor të kryer në Francë. Ndërkohë, identifikimi i viktimës është bërë prej shoqes me të cilën jetonte Silvana në Francë. Pasi është mësuar lajmi për gjetjen e trupit të pajetë, policia franceze ka kontaktuar me shoqen e viktimës, e cila ka konfirmuar se trupi i pajetë i përkiste Silvanës. Gjithashtu, ka qenë ajo e cila ka njoftuar familjarët e viktimës javën e kaluar se kishte dy ditë pa marrë asnjë lajm prej saj. Pasi policia franceze ka konkluduar se trupi i gjetur i përkiste pikërisht Silvana Beqirajt nga Havaleasi i Fierit, kanë kryer edhe njoftimin e palës shqiptare dhe kanë kërkuar bashkëpunim për hetimin e ngjarjes. Pritet që Policia e Fierit të përpilojë një raport me të dhëna për të kaluarën e viktimës dhe shkaqe të mundshme të motivit të vrasjes që mund t’i shërbejnë policisë franceze për zbardhjen e ngjarjes. Por burimet e bluve nuk bëjnë të ditur nëse do të ketë një hetim paralel edhe në Shqipëri për zbulimin e identitetit të autorëve të vrasjes apo të bashkëpunëtorëve të mundshëm.

Babai i viktimës

Nga burime të gazetës, mësohet se ditën e djeshme është nisur drejt Francës edhe babai i Silvanës, Mehmet Beqiraj, i cili do të kujdeset për transportimin e trupit të saj të pajetë në vendlindje, ku do t’i jepet edhe lamtumira e fundit. Të afërm të viktimës u shprehën dy ditë më parë për gazetën, se familja Beqiraj është në kushte të vështira ekonomike dhe se nga komunikimet që kanë pasur me shoqen e Silvanës dhe të afërm të tjerë që jetojnë jashtë shtetit, kanë mësuar se kostoja për sjelljen e trupit të 33-vjeçares në Shqipëri shkon deri në 10 mijë euro. Silvana Beqiraj, nëna e një djali 11-vjeçar dhe një vajze 7-vjeçare nga Havaleasi i Fierit, u gjet e pajetë paraditen e së premtes, rreth orës 10:00 në ujërat e një kanali në Lunel të Montpelierit në Francë. Ndërkohë, një mikesha e saj kishte denoncuar zhdukjen te familjarët e viktimës që prej së enjtes, dy ditë pasi Silvana ishte larguar pa lënë gjurmë. Sipas të afërmve të familjes Beqiraj, Silvana jetonte e punonte prej tre vitesh në Francë. Ata kanë pohuar se ajo kujdesej për një grua të moshuar atje. Ndërkohë, fëmijët i mbante nëna e saj, Yllka. Kjo, pasi Silvana ishte divorcuar disa vite më parë nga bashkëshorti i saj, Joti. Por, pas ndarjes me bashkëshortin ajo ishte lidhur me një tjetër djalë nga Fieri, Nuri Ç. Sipas të afërmve, në kohën kur Silvana dhe Nuriu po përgatiteshin për t’u martuar, një person e vrau me armë gjahu në mes të fshatit Havaleas 42-vjeçarin. Si autor i vrasjes së të dashurit të Silvanës është arrestuar dhe dënuar me 8 vite heqje lirie Sokol M., nga qyteti i Fierit.