Tiranë, 10 shtator 2014 – Ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani refuzoi të fliste në Prokurorinë e Tiranës për llogari të hetimeve që e dyshojnë atë se në pesë episode ka shpërdoruar detyrën me mos veprimet e tij, çka ka sjellë sipas organit të akuzës edhe krijimin e kushteve për super vjedhjen e 713 milionëve në Departamentin e Emisionit. 

Rreth orës 13.30, dy oficerë të policisë gjyqësore, Elidon Hysenaj dhe Lazar Tuni hynë në paraburgimin 302, ku edhe mbahet sipas vendimit të gjykatës ish-guvernatori. Ndërkohë që më herët kishte mbërritur në këto ambjente edhe avokati mbrojtës i tij, Maks Haxhia. Dy oficerët duhej të pyesnin Fullanin në bazë të 10 pyetjeve të përpiluara nga prokurori që kryeson dosjen, Ramdan Troçi. Por burime zyrtare thanë se Fullani, pasi ka dëgjuar pyetjet ka qenë i padisponueshëm për t’u përgjigjur. 

Mësohet se Fullani ka kërkuar t’i sillen me shkrim materialet e prokurorisë dhe ku është shkelur detyra, ndërkohë që ka shtuar se, “pas këtij momenti rezervoj të drejtën për t’u përgjigjur deri në një moment tjetër”. E ndërsa përfaqësuesit e akuzës kanë dalë pa komente nga kjo situatë, edhe avokati Haxhia ka tentuar t’i shpëtojë vëmendjes së medias duke dale nga paraburgimi numër 302 nga një derë tjetër. Haxhia tha se ishte në paraburgim thjesht për një vizitë. 

“Isha për vizitë. Ne e kemi apeluar burgimin me argumentet që kam thënë në intervistë, por nuk mund t’i them këtu në rrugë. Nuk kryhet arrestimi për një vepër të tillë”, tha Haxhia. 

Ndërkohë, prokuroria ka vijuar me veprimet e tjera hetimore, duke marrë në pyetje ish-drejtorin e Departamentit të Sigurisë në Departamentim e Emisionit, Eduart Sinani, i cili ka ngarkuar me përgjegjësi direkte ish-drejtorin e Thesarit, Dorian Çollaku. 

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/