Tiranë, 10 shtator 2014  – Partia Demoratike nëpërmjet Enno Bozdos, deklaroi se shqiptarët paguajnë çdo ditë e më shumë për energjinë. Bozdo tha se Kryeministri gjeti Kinën e largët për të lajmëruar për sukseset e Shqipërisë në sektorin e energjisë elektrike duke shtuar se është e kuptueshme, sepse e ka shumë të vështirë të ballafaqohet me shqiptarët, për sukseset imagjinare të qeverisë së tij në këtë sektor.

“Heqjen e TVSH-së për energjinë, premtim ky i bërë me bujë përgjatë fushatës elektorale nga Rama, tashmë Kryeministri e ka fshirë nga defteri i tij. Në vend të uljes së premtuar të çmimit të energjisë, sot shqiptarët po përballen me mbifaturimet dhe me faturat aforfe. Dhe kryeministri mund ta ketë memorjen e shkurtër, por shqiptarët sigurisht që jo! Një konsumator familjar, por edhe një biznes, për të njëtin konsum, sot paguan më shumë se dje, për shkak të udhëzimeve politike për fryrje të faturave. E pra, në këtë vit, jo vetëm që nuk u hoq TVSH për energjinë dhe nuk u ul çmimi i saj për qytetarët, por për të përmirësuar në mënyrë të gënjeshtërt treguesit e kompanisë së shpërndarjes, faturat mbifryhen dhe gjobat vendoset nëpërmjet pagesës aforfe. Dhe ata konsumatorë që kanë ankesa për këto abuzime, i kanë shpresat e pakta të gjejnë të drejtën e tyre; udhëzimi politik është që ata të sorollaten zyrave të OSHEE (ish CEZ), për të mos ta gjetur kurrë të drejtën e tyre”, tha Bozdo.

Ai bëri me dije se qeveria lajmëron për rritjen e çmimit të energjisë, si e paaftë për të disiplinuar vjedhjen e energjisë, e paaftë për të rritur arketimet, duke gjetur rrugën më të thjeshtë, rritjen e çmimit. Bozdo bëri me dije se konsumatorët e rregullt do të paguajnë edhe më shumë, ndërsa ata që vjedhin energjinë, do të vazhdojnë të mos paguajnë. Gjithashtu ai tha se rritja e çmimit do të dëmtojë konsumatorët dhe fuqinë blerëse të tyre, por edhe biznesin duke rritur ndjeshëm koston e të bërit biznes në Shqipëri, dhe duke ulur konkurrueshmërinë e ndërmarrjeve shqiptare. Në këtë linjë bëri me dije se pas rritjes me 50% të tatim fitimit të kompanive, rritja e çmimit të energjisë është rritje e dytë më e dëmshme për ekonominë shqiptare.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/