DURRËS, 10 shtator 2014 – Edicioni i 7 i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit u çel më 9 shtator 2014 në mbrëmje në amfiteatrin romak.

Ceremonia u drejtua nga aktori i famshëm shqiptar Timo Flloko.

Përshëndeti Ministrja e Kulturës znj. Mirelë Kumbaro, e cila theksoi se këto festivale që kombinojnë artin e kinemasë me trashëgiminë kulturore, janë vlerë e shtuar jo vetëm për qytetarët e Durrësit, por për të gjithë shqiptarët.

“Ministria e Kulturës dhe jo vetëm Ministrja e Kulturës së gjallë por edhe e trashëgimisë kulturore. Shoh me kënaqësi që arenat e trashëgimisë kulturore të cilat janë trashëguar në shekuj por janë po aq skena të artit bashkëkohor. E theksoj këtë moment sepse trashëgimia kulturore nuk është një natyrë e qetë, të cilën duhet ta sodisim nga larg, por është një pasuri që duhet ta mbrojmë edhe duke jetuar edhe duke i dhënë sot asaj frymëmarrje”, tha Kumbaro.

 “SULLTANESHA” E LUMTUR

Në një skenë madhështore mbrëmja e parë ka qenë një nderim për aktoren, regjisoren dhe skenaristen turke znj. Tyrkan Shoraj (Türkan Şoray).

“Jam shumë e lumtur që ndodhem midis jush sonte. Duhet të them që më gëzoi dhe më emocioni pa fund fakti që në vendin tuaj ndiqen kaq shumë filmat turq.

Kur erdha isha shumë kureshtare për nisjen dhe mbarëvajtjen e këtij festivali, teksa duhet të shtoj se jam mjaft e impresionuar. Jam gjithashtu e habitur me mikpritjen e përzemërt të organizatorëve dhe dashamirësve të filmit. Arti dhe kultura janë një ndër elementët kryesor që bashkojnë njerëzit nga e gjithë bota. Kam dëgjuar se  “Shamikuqja” është shfaqur prej disa vitesh në Shqipëri dhe është një film i shikuar, madje mësova se shumë prindër u kanë vendosur vajzave të tyre emrin Asije”, tha diva e kinemasë turke znj. Shoraj, e cila më 28 qershor 2015 mbush 60 vjeç.

Aktores iu dorëzua “Gladiatori i Artë i Karrierës” nga deputeti i Durrësit z. Blend Klosi.

GJEOSTRATEGJI

Në ceremoni përshëndeti edhe ambasadori turk Idajet Bajraktar, kjo dhe në kuadër të ditëve të kinemasë turke në 100-vjetorin e saj, që filloi sikurse tha SHT Bajraktar, në vitin 1914, me shfaqjen e filmit dokumetar “Shkatërrimi i monumentit rus në Shën Stefan” (Ayastefanos'daki Rus Abidesinin Yıkılışı).

Kinematografia turke ka marrë një zhvillim të jashtëzakonshëm dhe ka fituar një reputacion ndërkombëtar, duke u nderuar dhe me çmime prestigjioze.

Serialet televizive turke kanë popullaritet të jashtëzakonshëm jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan, Lindjen e Mesme, Rusi, Perëndim.

Në përmbyllje u shfaq për publikun e shumtë në numër edhe premiera e filmit “Shamikuqja” i restauruar, i cili është filmi i parë turk në vitet e dikataturës komuniste, pasi ngrohjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve.

Shteti turk i kushton rëndësi kinemasë në krijimin e imazhit të një Turqie moderne dhe në shtrirjen e ndikimit në aspektin gjeostrategjik, gjë që ka gjetur dhe mirëkuptimin e Tiranës zyrtare.

Kryeministri z. Edi Rama, që ndodhet për vizitë zyrtare në Kinë, i shoqëruar dhe nga kryebashkiaku i Durrësit z. Vangjush Dako, ka uruar organizatorët e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Amfiteatrin e Durrësit”

 “Më vjen keq që s’jam dot në hapjen e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Amfiteatrin e Durrësit. Urime organizatorëve”, shkruan Rama.

Vëmendja ndaj këtij evenimenti kulturor nga qeveria Rama shprehet dhe me praninë e Ministres së Kulturës, znj. Mirelë Kumbaro; ish-ministrit të Kulturës, aktualisht deputet i Durrësit, Blend Klosi etj.

Gjatë Festivalit do të shfaqen, përveç “Shamikuqes”, dhe filmat e tjerë të prodhimit turk “Dashuria e divave”, “Gratë që këndojnë” dhe “Ëndrra e fluturës”.

JEHONA NË ATDHE

Mediet turke i kanë kushtuar vëmendje pranisë së kinematografisë turke dhe “Sulltanes” së saj, znj. Shoraj për çmimin e Karrierës dhe nostalgjinë shqiptare për  Shamikuqen  në Festivalin e Filmit në Durrës.

Portalet   RotahaberAjans 34HabercinizTellalHaber 3MilliyetBugünArca Haber AjansıAktif Medya etj, kanë botuar dhe foto nga datat 9 shtator dhe konferenca e shtypit më 10 shtator kur diva turke ka dalë me fanset në hollin e teatrit “Aleksandër Moisiu”.

Info

Aktorja, skenaristja dhe regjisorja turke me origjinë çerkeze znj. Tyrkan Shoraj është konsideruar kinoaktorja më e bukur e Turqisë dhe prej shumë vitesh është më e paguarja.

“Sulltanesha” Shoraj debutoi për herë të parë në kinema në vitin 1960, kur ishte vetëm 15 vjeçe me filmin  Aşk rüzgarı  (Era e dashurisë), që pati sukses.

Pastaj brenda pesë vitesh  interpretoi në mbi 60 filma.

Pas triumfit  në vitin 1965, u konsiderua si një nga katër aktoret kryesore të Turqisë.

Brenda 5 vitesh të tjerë të 1960-ës luajti edhe në 48 filma, duke e bërë një nga artistët më të suksesshme femra në historinë e filmit turk me mbi 100 filma në hapësirën ​​e një 10-vjeçari.

Ajo tashmë kudo thërritej “Sulltanesha”, pasi ishte aktorja më e kërkuar e kinematografisë turke në kohët e saj të arta.

Në vitet 1970 ajo ka interpretuar në filma me tema më realiste. 

Gjithashtu ka xhiruar si regjisore katër filma në ato vite. Filmat më të duartrokitur të saj në vitet 1970 përfshinin  Selvi Boylum Al Yazmalım (Shamikuqja),  HazalSulltanDönüş dhe  Baraj.

Zn. Shoraj ka marrë disa çmime:

Në festivalin e Filmit në Antalja çmimin i aktores më të mirë

1964-Acı Hayat

1968-Vesikalı Yarim

1987-Hayallerim, Aşkım ve Sen

1994-Bir Aşk Uğruna

Në Festivalin e Filmit në Moskë çmimin e Jurisë së Madhe

1973-Dönüş (debutimi si regjisore)

Në Festivalin e Filmit në Tashkent çmimin i aktores më të mirë

1978-Selvi Boylum Al Yazmalım (Shamikuqja)

Në Festivalin e Filmit në Bastia çmimin i aktores më të mirë

1992-Soğuktu ve Yağmur Çiseliyordu

Në Festivalet e Filmit në Stamboll në vitin 1996 dhe në vitin 1999 në Romë ka marrë çmimin e Nderimit

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/