Francë, 9 shtator 2014 – Gruaja 34 vjeçe, Silvana Beqiraj, nënë e dy fëmijëve, e cila u gjet pa jetë në një kanal në Montpelie në Francë, dyshohet se është vrarë për hakmarrje. Ajo ishte zhdukur pa gjurmë prej ditës së martë, ndërkohë që identifikimi i saj është kryer nga një person i afërt i saj. Fillimisht u mendua se femra mund të ishte e punësuar si prostitutë në Francë, por rrethanat si dhe dëshmia e shoqes së saj ka çuar në një tjetër dyshim.

Një nga familjaret e Silvanes ne Fier, thote e 34 vjeçarja nuk punonte si prostitutë siç u perfol fillimisht ne media, por kujdesej per nje te moshuar.

“Ne nuk kemi dëgjuar asnjëherë se Silvana bënte punë të tilla. Ne dimë që ajo ka punuar si kujdestare për një grua plakë. Kujdesej e i shërbente asaj. Këtë punë dimë që ka bërë në Francë’’, tregon një prej familjarëve. 

E afërmja e Silvanës rrëfen për gazetën “Panorama” jetën e 30 vjeçares. 

“Silva u martua kur ishte 20 vjeçe me një djalë nga Vlora me të cilin ka dy fëmijë, djalin 11 vjeç dhe vajzën 7 vjeçe. Por, u nda para pesë vitesh se nuk ishte burrë i hajrit. Silva jetoi tek prindërit e vet bashkë me fëmijët dhe mundohej për rritjen e tyre. Më vonë u lidh me një djalë nga Ballshi që jetonte në Fier. Por atë djalin e vranë këtu në mes të fshatit. Bëri sherr me disa djem dhe njëri prej tyre e qëlloi. Kjo ndodhi gati 3 vjet e gjysmë më parë, dhe prandaj Silva iku nga Shqipëria. Iku në Francë për të punuar. E shikonim që ishte mirë dhe jetonte mirë. Vinte shpesh këtu. Dhe fëmijëve u kishte premtuar se do të vinte në shtator.Por, shtatori erdhi dhe ajo nuk do të vijë më gjallë…” shprehet e afërmja. 

Familjarët e viktimës tregojnë se kjo fatkeqësi po shoqërohet edhe me problem financiare, pasi duhen 10 mijë euro për ta sjellë kufomën në Shqipëri. 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/