Durrës, 9 shtator 2014 – Arben Kaba, 35 vjeç, Genci Xhambazi, 37 vjeç, dhe Ylli Grabovari, 36 vjeç, të tre me banim në Durrës, janë arrestuar nga policia pasi dyshohet se ushtronin ‘profesionin’ e hajdutit.

Të tre këta shtetas, falë punës hetimore të policisë, është verifikuar se janë autorë të tre vjedhjeve të ndryshme, të ndodhura ditët e fundit në Durrës.

Kështu Kaba akuzohet se ka tentuar të vjedhë një pronar dyqani në zonën e plazhit, i cili kishte me vete xhiron ditore të biznesit të tij, rreth 13.000 lekë.

Ndërkohë 37 vjeçari Xhambazi është autori i vjedhjes së shumës prej 4000 lekë në një dyqan në lagjen nr.17 të qytetit bregdetar.

36 vjeçari Grabovari, nga ana tjetër, u arrestua në flagrancë, pasi ndaj tij gjykata kishte vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg”  për veprën penale “Vjedhje e kryer në bashkëpunim”.

Ndërsa 3 hajdutë janë vënë në pranga, një ‘kolege’ e tyre femër është shpallur në kërkim nga policia.

Sipas bluve të Durrësit, 23 vjeçarja Armanda Beqiri, banuese në Cërrik, i ka vjedhur në një lokal në zonën e plazhit telefonin e markës Vodafone Smart 3 një qytetari durrsak.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/