Tiranë, 8 shtator 2014 – Ndërsa aplikimi për punësim në administratë do të bëhet vetëm online, Departamenti i Administratës Publike ka shpjeguar hap pas hapi procedurën që duhet të ndiqet nga çdo i interesuar. Për të lehtësuar sa më shumë procedurën për të interesuarit, DAP ka bërë publik edhe "Manualin për aplikimin online". Procesi nis me regjistrimin e aplikuesit në faqen e DAP, gjë që do të bëjë të mundur hapjen e një llogarie personale për çdo aplikant. 

"Pas keni kryer procesin e regjistrimit, në adresën tuaj të postës elektronike do të vijë një mesazh për aktivizimin e llogarisë suaj në faqen e portalit të DAP (mesazh mund t'ju paraqitet dhe në Spam-et). Në mesazhin e mbërritur klikoni në linkun e aktivizimit. Pas këtij momenti ju mund të hyni në llogarinë tuaj në faqen e DAP-it. Aktivizimi i llogarisë nuk nënkupton "aplikim" në ndonjë nga shpalljet e vendeve vakante", sqaron manuali. 

Modeli i dokumentit

Aplikimi dhe dorëzimi i të gjitha dokumenteve do të bëhen online, në faqen zyrtare elektronike të Departamentit të Administratës Publike. Seti i dokumenteve që domosdoshmërisht duhet të ngarkohen në sistem ka në përmbajtje të tij: Jetëshkrimin sipas standardit; skanim të dokumentit të identitetit; skanim të diplomës së shkollës së lartë; skanim të dokumentit të njësimit nëse diploma është e huaj; skanim të librezës së punës; skanim të vërtetimit të gjendjes shëndetësore; skanim të vërtetimit të gjendjes gjyqësore ose plotësimin me vetëdeklarim. "Tregoni shumë kujdes për dokument apo certifikata specifike në lidhje me kërkesat e veçanta të vendit të punës!", sqaron DAP, duke theksuar se të gjitha këto duhen ngarkuar në një file të vetëm (pdf, max 9.5 MB) sipas dokumentit tip që gjendet në faqe. "Kujdes! Të përfunduarit me sukses vetëm i regjistrimit në sistem nuk ju kualifikon për të marrë pjesë në konkurrim!", sqaron DAP.

/Gazeta Shqiptare/