Gjirokastër, 7 shtator 2014 – Brenda bedenave të kalasë së Gjirokastrës, në një ceremoni të shumëpritur, ministri Erion Veliaj ka vënë kurorë me të fejuarën e tij prej 14 vitesh, Ajola Xoxa. Muret e kalasë, të ndriçuara për herë të parë nga dritat dhe të zbukuruara me lule pritën mbrëmë çiftin e ri si dhe mbi 500 të ftuar. Njëri pas tjetrit, ministra, deputetë, ambasadorë e gazetarë u ngjitën deri në portën e kalasë me makina ose me çadra, pasi shiu i ka shoqëruar gjatë gjithë kohës. Vetëm kur çifti ka dalë para altarit, reshjet u ndërprenë. Megjithëse masat ishin marrë paraprakisht, pavarësisht kapriçove të motit.
Fotot e para të çiftit u publikuan nga miqtë në rrjetet sociale rreth orës 21:00. Ajola me fustan të derdhur që vazhdonte me një bisht të gjatë dhe me vello madhështore, me flokë të mbledhur dhe tualet perfekt u ngjit në altar ku e priste dhëndri, me kostum të zi. Si ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, ashtu dhe e përzgjedhura e tij, kanë qenë të buzëqeshur gjatë gjithë kohës, ndërsa qëndronin përballë njëri-tjetrit. Mbi ta organizatorja e ceremonisë, “Geraldina Sposa”, kishte krijuar një kurorë gjigande me lule që i dhanë ngjyrë kalasë së Gjirokastrës.
Betimin për të qenë së bashku në të mirë e të keqe, Veliaj 35 vjeç dhe Xoxa 31 vjeçe e dhanë para pastorit Genti, miku i tyre nga Tirana. Ministri kishte për shoqërues miqtë e tij të hershëm, që nga organizata “Mjaft”, si Arbi Mazniku (aktualisht zëvendësi i tij), drejtori i INSTAT, Gjergj Filipi apo drejtori i kabinetit për mediat në Kryeministri, Endri Fuga.
Në momentin kur u shpallën burrë e grua ka qenë kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, i cili ka hapur shampanjën për të mbushur së pari gotat e çiftit. Këtu festa ka nisur. Gjithçka ka qenë e organizuar sipas traditës së Gjirokastrës, prej nga Veliaj u zgjodh deputet. Darka e shtruar për të ftuarit ishte e tëra tradicionale. Tre kuzhinierët më të mirë gjirokastritë kanë përgatitur larmi ushqimesh, mes tyre qifqi (qofte orizi), shapkat me miell orizi, byrek me lakra të egra, mish pule, viçi, qengji, etj.
Muzika ka pushtuar kalanë, duke i shpërndarë tingujt në të gjithë qytetin. Grupe shqiptare e kosovare janë bërë bashkë në këtë ceremoni. Hysni Zela dhe grupi i tij, Eneda Tarifa e të tjerë kanë kënduar deri në orët e para të mëngjesit. Festa do të vazhdojë të hënën në Pezë, ku qindra të ftuar të tjerë do të jenë të pranishëm në pjesën e dytë të dasmës, e cila pritet të jetë po aq madhështore, sa ajo në kala.
/gazeta“Panoram”/





