Tiranë, 7 shtator 2014 – Këngëtarja Bleona Qereti ka arritur të marrë pasaportën shqiptare për disa orë, të shtunën, pasi në Itali i ishin vjedhur dokumentet dhe valixhet.
Ajo ka treguar se për t’ia nxjerrë pasaportën gjatë fundjavës ishin mobilizuar Ministria e Punëve të Brendshme e Saimir Tahirit dhe Ministria e Jashtme, e Ditmir Bushatit.
Pasi ka falënderuar shtetin shqiptar, Bleona ka folur fjalë të mira edhe për përkrahësit e saj, të cilët e kanë ngushëlluar me mesazhe private për ngjarjen e pakëndshme në Itali.
Lexojeni të plotë reagimin e Bleonës
Miqtë e mi, mbrëmjen e së premtes, u gjenda në një situatë aspak të këndshme, në mes të Milanos, e grabitur, pa pasaporta dhe pa asnjë prej bagazheve të mia. Nuk dua të tregoj shumë detaje nga historia famëkeqe, thjesht dua t’ju them se dje (ditë e shtunë) falë përgjegjshmërisë dhe dashamirësisë së pamatë nga ana e shtetit shqiptar, unë u pajisa me pasaportë, për të vijuar e lirë aktivitetin tim si këngëtare. Faleminderit edhe një herë ministrave dhe stafit të të dy ministrive, asaj të Brendshme dhe të Jashtme, për ndihmën e pakursyer që më ofruan. Faleminderit dhe juve të gjithëve për mesazhet e ngrohta që më keni dërguar. Ju jeni pasuria më e madhe që kam në jetë, ju, SHQIPTARIA ime. Ju dua Shqipëri! #Faleminderit #Krenare #Shqiptare #Bleonaire.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





