DURRËS, 7 shtator 2014 –  Edhe kur ka mbaruar tashmë stina e verës, sërish plazhi i Durrësit përmendet në 10 destinacionet më të mbingarkuara në botë, madje zë vendin e parë në top 10.

 “Nuk ka dhoma me shezlong! Me 3.5 milionë pushues në stinën e verës, a mund të jetë plazhi më i ngarkuar në botë ai në Bormuth (Bournemouth) të Britanisë?”  është titulli i gjatë i një shkrimi në numrin e 7 shtatorit 2014 të tabloidit të famshëm britanik “Dejli Mejëll” (Daily Mail) me një tirazh deri 1,7 milionë kopje të shtypura dhe 100 milionë lexues në muaj në ueb.

Ja çfarë shkruan Enisaja Viktor (Anucyia Victor):

Diell, det, rërë dhe sërf – katër fjalë që sigurisht shkaktojnë buzëqeshje në fytyrën e çdo pushuesi.

Pra, nuk është çudi që plazhet janë disa nga destinacionet më popullore pushimesh për ata që duan të ringarkojnë bateritë e tyre.

Në fund të fundit, nuk ka gjë më të mirë se ndijimi i një flladi të butë veror mbi lëkurën e zhveshur, zhurma e valëve që vrapojnë lehtë e lehtë në breg apo klithmat e një pulëbardhe të vetmuar që vjen vërdallë në ajër për t’u ushqyer me peshk.

Por, në këto plazhe, ato pamje dhe tinguj janë aq të rrallë, teksa kërkon një vend të qetë sa për të shtruar përtokë një peshqir.

Pamjet e tyre mahnitëse, segmentet me rërë dhe ujërat e bruzta i bëjnë këto plazhe një atraksion të madh pasi dhjetëra mijëra turistë vijnë në kohë piku në kërkim të një pushimi të paharrueshëm në breg të detit.

Një vizitori në plazhin kinez Huiquan, që sheh mbi 200 000 turistë në kohë piku, do t’i duhet të luftojë për të shëtitur me nge në rërë, e lëre më të shtrojë peshqir.

Dhe mendoni pastaj për adhuruesit e diellit në Durrës, Shqipëri, që pret rreth 700 000 vizitorë në vit. Plazhi më popullor dhe më i frekuentuari i vendit tërheq adhurues të banjave të diellit nga vendet fqinje si Maqedonia dhe Kosova, shto këtu vetë popullsinë vendase aq të dhënë pas plazhit.

Dhe madje  Bournemouth Beach i Britanisë, me mbi 11 kilometra plazh të artë, ka rreth 3.5 milionë turistë në muajt e pikut të verës.

Ja renditja e 10 plazheve më të mbingarkuara të botës

1. Durrësi

2. Miami Beach, Florida (SHBA)

3. Copacabana, Rio de Zhanejro (Brazil)

4. Coney Island (SHBA)

5. Praia da Luz (Portugali)

6. Bondi Sydney (Australi)

7. Bournemouth (Britani e Madhe)

8. Haad Rin Nok (Tajlandë)

9. Huiquan (Kinë)

10. Costinesti (Rumani)

/përgatiti th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/