Itali, 7 shtator 2014 –  Lewis Hamilton fiton garën për Çmimin e Madh të Italisë në pistën e Monzas duke respektuar parashikimet pasi e nisi garën nga pole position. Britaniku e nisi garën në mënyrën më të keqe duke humbur disa pozicione, por në finish ishte ai që la pas shokun e skuadrës dhe rivalin për titullin, Nico Rosberg dhe brazilianin Felipe Massa që shijoi podiumin pas një garë spektakolare. Të pranishmit në pistën e Monzas përjetuan emocione nëpërmjet duelit brenda familjes Mercedes ku Hamilton gaboi në nisje duke e parë veten pas shokut të skuadrës, Magnussen dhe Massas. Me shtimin e gazit, britaniku parakaloi danezin e McLaren dhe brazilianin e Williams. Pas ndalesës së parë në bokse që ishte edhe e fundit, Hamilton mori drejtimin e garës, duke mos zbritur më nga vendi i parë, kjo falë edhe gabimeve të Rosberg. 

Garë pothuajse perfekte për ish ferraristin Massa që la pas shokun e skuadrës Valtteri Bottas, duke konfirmuar kështu momentin e mirë që po kalon skuadra Williams, e cila mbetet në garë për vendin e dytë të klasifikimit për konstruktorë. Vendi i pestë shkoi për australianin Daniel Ricciardo që konfirmoi edhe një herë se është ai piloti tek i cili duhet të mbështeten kampionët në fuqi të Red Bull, pasi Vettel e mbylli garën një pozicion më poshtë. Zhgënjimi te Ferrari mori përmasa më të mëdha në Monza ku njëvendëshja e Fernando Alonsos nuk arriti ta mbyllte garën, ndërsa Kimi Raikkonen nuk pati asnjë kontakt me skuadrat e kreut duke e mbyllur garën në vendin e nëntë. Me daljen nga garimi, Alonso i dha fund një rekordi pozitiv prej 86 garash të mbyllura deri në xhiron e fundit, pasi ai nuk tërhiqej që në vitin 2010 në Malajzi nga një garë. Në klasifikimin e përgjithshëm për pilotë, Rosberg mbetet në krye me 238 pikë, i ndjekur nga Hamilton me 22 pikë më pak. 

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/