– Tre vendime qeverie për periudhën kalimtare, ndoshta ky i treti mund të jetë i vërteti

DURRËS, 6 shtator 2014 –  Me vendim të qeverisë së z. Sali Berisha të 11 qershorit 2008, pranë universitetit shtetëror “Aleksandër Moisiu” të Durrësit (UAMD) u hap Fakulteti i Studimeve të Integruara me Praktikën (FASTIP), në kuadrin e projektit “Zhvillim i qëndrueshëm ekonomik përmes arsimit profesional” që qeveria shqiptare ka ndërmarrë në bashkëpunim me qeverinë gjermane dhe nën kujdesin e GTZ-së.

Në pikën 2 të VKM-së thuhej që “FASTIP-i kalon një periudhë kalimtare, që zgjat 4 vjet (2008-2012), gjatë së cilës do të organizohet në departamentet e mëposhtme:

a) Departamenti i menaxhimit të bankave;

b) Departamenti i menaxhimit të hoteleri-turizmit;

c) Departamenti i menaxhimit të ndërmarrjeve të vogla e të mesme”.

Sipas pikës 21, “gjatë periudhës kalimtare, FASTIP-i do të ketë varësi administrative nga UAMD-ja, që do të kontrollojë dhe auditojë përdorimin e fondeve buxhetore, zhvillimin e procesit të kërkimit dhe të gjithë ecurinë e fakultetit.”

Por UAMD-së dhe FASTIP-it nuk i doli periudha katërvjeçare e tranzicionit, gjë që detyroi z. Berisha të nxjerrë vendimin nr. 536, datë 7.8.2012, ku thuhej se afati nga “… 4 vjet (2008-2012), …” bëhet “… 6 vjet (2008 -2014) …”.

Por zgjatja e periudhës kalimtare, nga 4 në 6 vjet, nuk paska mjaftuar.

Më 3 shtator 2014, Kryeministri z. Edi Rama, ka ngarkuar zëvendësin e tij, z. Niko Peleshi të nxjerrë një VKM të tretë, në të cilin përcaktohet se afati nga “…6 vjet (2008 – 2014)…” bëhet “… 7 vjet (2008 – 2015) … ”. 

Nuk dihet nëse i treti është i vërteti!

Ndoshta, dikujt nuk i intereson pavarësia e FATSTIP-it nga UAMD-ja, kur bëhet fjalë për para, pasi ky fakultet, sipas VKM-së, “mund të përfitojë financime edhe nga subjekte private, të interesuara për formimin universitar, kërkimin shkencor apo për ofrimin e shërbimeve, brenda fushave të veprimtarisë”.

Info                                                                                            

FASTIP-i, që ndodhet në një ndërtesë afër Urës së Dajlanit, midis rrugës hyrëse të portit dhe një pike karburanti, u hap me VKM Nr. 827, datë 11.6.2008.

Programi zgjat tre vjet, i ndarë në gjashtë semestra, ku secili zgjat 12 javë studim akademik dhe alternohet me fazat e trajnimit praktik në firmë për 14 javë. 

Ofron arsimimin akademik me module 2- javore, të cilat zhvillohen tërësisht  në gjuhën angleze nga profesorë të ftuar ndërkombëtarë.

Praktika bazohet në një plan të hartuar bashkërisht nga firma e trajnimit dhe fakulteti.

Pas tre viteve studenti merr diplomën  Bachelor of Arts.

Financohet kryesisht nga buxheti i shtetit, ndërsa kompanitë trajnuese kontribuojnë me një tarifë për çdo student që mbështesin, të ardhura të cilat shërbejnë për të afruar lektorë të kualifikuar.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/