DURRËS, 4 shtator 2014 –  Po u jepet dora e fundit përgatitjeve për hapjen e muzeut arkeologjik.

Më 3 shtator 2014 në muzeun arkeologjik të Durrësit kanë hyrë fadroma dhe punëtorët për të sistemuar sheshin e shëmtuar që rrethon këtë objekt me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe trotuarin para tij.

Sikurse është bërë e ditur është planifikuar që brenda shtatorit të hapet më në fund muzeu më i madh arkeologjik në Shqipëri, për më tepër që ndodhet në një qytet turistik, me vizitorë të huaj dhe që mund të shërbejë dhe për krijimin e imazhit të një populli e vendi me histori mbi 2 300-vjeçare.

Këto punime po realizohen në bashkëpunim me bashkinë, ndërmarrjet e së cilës po realizojnë drenazhimin, dhe sistemimin e përgjithshëm të sheshit.

Gjithashtu në bashkëpunim dhe me specialistë arkeologë do të kryen, sistemimet dhe vendosjet e objekteve arkeologjike për ekspozimin në pjesën e jashtme, thotë z. Ledion Lako, drejtor i drejtorisë rajonale të kulturës kombëtare të Durrësit, që mbulon me sektorë më vete edhe Tiranën e Elbasanin.

Dy ditë më parë, më 2 shtator 2014, një delegacion italian i kryesuar nga kryebashkiaku i qytetit të Veronës z. Flavio Tozi (Tosi) vizitoi muzeun arkeologjik të qytetit të Durrësit.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/