SHBA, 3 shtator 2014 – Presidenti amerikan Barack Obama nuk do të jetë i ftuar në dasmën e aktorit hollivudian George Clooney pasi ka “gjëra më të rëndësishme për të bërë”.
Pavarësisht zërave të shumtë se emri i tij do të ishte në listën e të ftuarve, zëdhënësi i aktorit tha se Presidenti Obama nuk do të marrë pjesë në dasmën mes avokates Amal Alamuddin dhe aktorit Clooney.
Ky i fundit dhe Obama janë miq prej kohësh, madje ylli i kinemasë viziton herë pas here Shtëpinë e Bardhë.
Megjithatë, ashtu siç sqaron dhe zëdhënësi i aktorit, Obama nuk do të jetë prezent në një ditë kaq të rëndësishme për çiftin, për shkak të angazhimeve të shumta.
Kohët e fundit, Presidenti i SHBA ka marrë kritika të forta për faktin se shijon kohën e tij nëpër kurse golfi teksa vende si Iraku, Siria, Ukraina dhe Irani ndodhen në krizë.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





