Serbi, 3 shtator 2014 – Eliminatoret po afrojnë dhe Shqipëria është e shortuar në Grupin I bashkë me Portugalinë, Danimarkën, Armeninë, Serbinë dhe Francën, ndaj së cilës do të luajë vetëm ndeshje miqësore. Një prej ndeshjeve më të ndjera për kombëtaren kuqezi do të jetë ajo ndaj Serbisë, ku sfidën e parë Shqipëria do ta luajë më datë 14 Tetor në Beograd. Në prag të startit të eliminatoreve, trajneri i Serbisë, holandezi Dick Advokat ka ndezur atmosferën, teksa në analizën e tij për Grupin I e ka cilësuar Shqipërinë, si një kundërshtar jo problematik.
Ish-trajneri i portokallinjve por dhe Rusisë në Europianin e fundit në prag të ndeshjes miqësore me Francën i ka bërë të qarta hierarkitë brenda Grupit tonë: “Besoj se skuadra favorite për të kaluar më tej është Portugalia, ndërsa ne dhe Danimarka kemi shanse të barabarta për të siguruar një vend në Europian, gjithashtu dhe Armenia është një skuadër shumë e mirë ndërsa Shqipëria besoj se është ekipi më i dobët i grupit ndaj së cilës të gjithë do të përpiqen të marrin pikë”.
Një deklaratë kjo e Advokat që nxeh akoma më shumë ndeshjes mes Shqipërisë dhe Serbisë, aq më tepër që kuqezinjtë e De Biasit nuk merren në konsideratë nga tekniku holandez në këtë eliminatore për Francë 2016. Ndeshjen e parë Shqipëria do ta ketë më datë 7 Shtator ndaj Portugalisë.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





