Durrës, 3 shtator 2014 – Ka shkuar në 30 numri i personave të shoqëruar në policinë e Durrësit për të dhënë dëshminë e tyre lidhur me vrasjen e dyfishtë që tronditi mëngjesin e një dite më parë opinionin publik.
Sipas policisë së qytetit bregdetar, dyshimi se vrasja mund të jetë bërë për motive grabitjeje ka bërë që pjesa më e madhe e personave të shoqëruar të jetë nga kontigjenti i shtetasve me precedentë penalë.
Dy të moshuarat, Gjinovefa dhe Elsa Vava, 77 dhe 72 vjeçe, kunata me njëra-tjetrën, u dhunuan deri në vdekje në banesën e tyre, në një shtëpi të vjetër dy katëshe, në lagjen nr.11 të Durrësit.
Hetimet e kësaj çështjeje po ndiqen nga prokurori Besim Hajdarmataj, ndërkohë që dy pistat për të cilat po hetohet janë ajo e grabitjes me dhunë si dhe konflikti i pronësisë.
Sipas policisë, personat që kanë kryer këtë krim horror kanë qenë të pajisur me doreza dhe për këtë shkak në vendngjarje nuk janë gjetur gjurmë gishtash, gjë që pritet t’i vështirësojë punën grupit hetues.
Në banesën e dy grave është vjedhur një shumë prej 200 mijë lekësh. Policia e Durrësit informon se personat qe kane hyre ne shtepine e dy te moshuarave kane ushtruar dhune ndaj tyre, gje qe ka shkaktuar me pas vdekjen e Gjinovefa dhe Elsa Vava.
Ngjarja
Ngjarja e rëndë, në të cilin mbetën të pajeta dy të moshuarat, Gjinovefa dhe Elsa Vava, 70 dhe 75 vjeçe u zbulua rreth orës 7:00 të mëngjesit të djeshëm nga djali i Elsa Vavas, njërës prej viktimave.
Viktimave u ishin lidhur duart me litar, ndërkohë që në kokë kishin qese plasmasi. Vrasja e tyre nxiti reagime të shumta në rrethin e tyre shoqëror, si dhe në opinionin durrsak e më gjerë.
Kapja dhe nxjerrja para drejtësisë e autorëve të këtij krimi të rëndë, madje varja e tyre në mes të qytetit, ishin apeli i bërë nga qytetarët drejtuar strukturave policore dhe atyre të shtetit.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





