– 1 km pas Shetajt një kthesë në të majtë, 5-6 min rrugë fshati (e paasfaltuar), ja destinacioni ideal për ata që janë lodhur nga ndotja dhe zhurma, dhe kërkojnë diçka të veçantë për pushimet
– Plazh i virgjër, i qetë, pa ndërtime, pa beton, i kristaltë
– Synohet zhvillimi i një modeli turizmi të qëndrueshëm në komunën Ishëm; angazhimi i punonjësve vendas; impakt ekonomik drejtpërdrejt nga rritja e punësimit dhe krijimi i kërkesës për produkte e shërbime vendase; model për zhvillimin e turizmit rural
– Eko-kampi bazohet në krijimin e një strukture ekologjike të përbërë nga materiale të ricikluara, çadra të ndërtuara konform natyrës, ushqime natyrore dhe aktivitete të ndryshme sportive
– Për të ardhshmen po punohet për krijimin e një infrastrukture që përdor kompost tualet, energji me panel diellor dhe menaxhim i qëndrueshëm i plehrave të zonës
DURRËS, 3 shtator 2014 – Kryeqytetasit ia dinë “kimetin” Ishmit më mirë se durrsakët, madje, një rrip të vogël plazhi kanë ngritur një eko-kamping të quajtur Atlantid Beach, kështu një OJQ e quajtur Tirana Ekspres e përbërë nga një grup profesionistësh, artistë dhe promotorë, po promovojnë zhvillimin e qëndrueshëm të eko-turizmit në fshatin Shetaj, duke tërhequr dhe vëmendjen ndërkombëtare, përfshirë mediet italiane, për idetë aletrnative.
DESTINACIONI IDEAL
Eko-kampi Atlantid Beach, i cili ndodhet në Fushqetë në komunën e Ishmit, është projekt i radhës për zhvillim i eko-turizmit nga OJQ-ja Tirana Ekspres (TE)
Është destinacioni ideal për ata që janë lodhur nga ndotja dhe zhurma, dhe kërkojnë diçka të veçantë për pushimet.
ATLANTID-i është plazh i virgjër, në një nga zonat më të bukura të Shqipërisë.
I qetë, pa ndërtime, pa beton… i kristaltë!
Duke qenë një vend aq i bukur dhe frymëzues, vullnetarët e morën, e pastruan, rregulluan dhe ofruan ca mundësi e kushte për secilin që dëshiron t’i bashkohet magjisë së këtij vendi.
Deti jo i ndotur, rëra e bardhë, muzika, zjarri, skara dhe plot veprimtari kulturore-sportive.
ATLANTID PROMOVON EKO TURIZMIN
Sipas drejtuesve të TE-së, synohet zhvillimi i një modeli turizmi të qëndrueshëm në komunën Ishëm; angazhimi i punonjësve vendas; impakt ekonomik drejtpërdrejt nga rritja e punësimit dhe krijimi i kërkesës për produkte e shërbime vendase; një model për zhvillimin e turizmit rural.
Kampi bazohet në krijimin e një strukture ekologjike të përbërë materialet të ricikluara, çadra të ndërtuara konform natyrës, ushqime natyrore dhe aktivitete të ndryshme sportive.
Për të ardhmen po punohet për krijimin e një infrastrukture që përdor kompost tualet, energji me panel diellor dhe menaxhim i qëndrueshëm i plehrave të zonës.
AKTIVITETE DHE SHERBIME
Infrastruktura: akomodim (çadra kampingu me qira: 7 euro / 1000 lekë nata / person që përfshin dysheku, batanije, shezllonë dhe çadër plazhi), bar, restorant, tualete dhe dushe te thjeshta, biblioteka “Treks”.
Guida turistike në pikat e vrojtimit dhe kalanë e Skënderbeut, kurse Yoga (me prenotim), tours me kanoa, evente kulturore.
Rruga për në ATLANTID beach është një nga rrugët më piktoreske të Shqipërisë. Fshatrat e vogla, të ndërtuara me shtëpitë karakteristike; fushat e kodrat përmes të cilave kalon rruga janë vërtet mahnitëse.
Prej sipër fshatit të bukur Shetaj, e deri në ATLANTID amatorët e natyrës do t’i shoqërojë relievi i pafund i detit.
Pastaj vetëm 1 km pas Shetajt një kthesë në të majtë; 5-6 min rrugë fshati (e paasfaltuar) dhe ja ATLANTID beach.
Info
Tirana Ekspres (TE) prej më se një viti është qendra e gravitetit të kulturës alternative të kryeqytetit.
Lindur si nismë e një grupi producentësh, artistësh dhe aktivistësh të pavarur, kjo hapësirë ka shërbyer si katalizator i skenës së artit alternativ dhe mendimit social, në nivel lokal, kombëtar dhe ndërkombëtar.
Gjatë vitit të parë, TE-ja ka realizuar bashkëpunime me një numër të konsiderueshëm të institucioneve më të rëndësishme, vendase dhe të huaja.
Ekspozitat, eventet kulturore të iniciuara dhe organizuara nga TE-ja, kanë pasur mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Bashkisë Tiranë, Ambasadës Amerikane, Ambasadës së Republikës së Francës, Alliance Française, Ambasadës së Mbretërisë së Vendeve të Ulëta, British Council, Austrian Development, etj.
Komuniteti i TE-së ka mundur të realizojë ndërveprimin mes grupeve profesioniste të art-kulturës dhe aksionit civil, si dhe rinisë aktive të angazhuar të kryeqytetit.
TE-ja është laborator idesh, por mbi të gjitha punishte e veprimit konkret, ku akti krijues thuret mbi rrjetën e mendimit kritik, frymës së bashkësisë dhe përgjegjësisë civile.
TE-ja nxit publikun e saj për përmirësimin e cilësisë së jetës dhe ruajtjen e vlerave të trashëgimisë historike, kulturore dhe natyrore, përmes krijimit dhe promovimit të nismave komunitare
/përgatiti: th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





