Itali, 2 shtator 2014 – Në 4 korrik 2014 në qytetin e Gallaratës, të provincës së Varezes, u grabit me dhunë një argjendari në qendër të qytetit. U grabitën tetë orë dore të markës Rolex, me vlerë 140 000 euro.
Grabitësit përdorën një xhip Cheeroki, të vjedhur në qytetin e Tortonës, për të kryer grabitjen e argjendarisë. Ata goditën me çekan vitrinën, ditën për diell dhe më pas grabitën orët e shtrenjta.
Karabinieria duke kontrolluar telekamerat e argjendarisë dhe dyqaneve të tjera aty pranë, arriti të fiksojë targën e xhipit. Nga targat u gjet, ku ishte vjedhur makina dhe gradualisht u arrit edhe identifikimi i tre grabitësve, të cilët janë: Çesk Pekaj, lindur në 1987, Kristian Nikaj, lindur në 1993 dhe Agustin Hilli, lindur në 1995. Për të identifikuar më mirë grabitësit u kontrollua dhe profili i secilit prej tyre në rrjetin social Facebook. Njëri nga grabitësit madje kishte dalë në foto me dy nga Rolex-at e grabitur.
Arrestimi i të treve u krye, kur ata po hipnin në autobus për t’u kthyer në Shqipëri, duke ndjekur itinerarin: Slloveni, Kroaci, Bosnje, Mal i Zi dhe më në fund në Shqipëri.
Në vend që të ktheheshin në Shqipëri me tetë orat e shtrenjta, të tre grabitësit përfunduan në burgun e Milanos.
/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





