Nga Gertjana Daçi

Jeta është plot me të papritura, e mistershme dhe shpesh të çon në veprime të skajeve të ndryshme. E tillë ka qenë edhe për 20-vjeçaren Aldona Aliaj, e cila sot është udhëzuar drejt fesë islame.

Shumë vite më parë, kur ajo ishte ende e vogël, prindërit e Aldonës udhëtuan drejt Greqisë për një jetë më të mirë. Në shtetin fqinj, Aldona tregon se ishte orientuar drejt besimit katolik, shkonte në kishë, pasi siç shprehet ajo, frymën e besimit e kishte patur gjithmonë shumë të fortë.

Kishën vazhdoi ta frekuentonte edhe kur familja e saj u rikthye në Shqipëri. Rastësia bëri që një ditë të bukur, një i afërm ta prezantonte me një teologe të njohur në Durrës, Meriem Lumin dhe kështu filloi të shtrohej rruga e saj drejt besimit mysliman kur ishte vetëm 17-vjeçe.

Fillimisht, Aldona filloi të lexonte disa libra mbi fenë islame dhe brenda saj lindi dëshira për t’u përfshirë edhe më shumë, duke falur kështu 5 vaktet e namazit dhe agjëruar.  Por sa më shumë mësonte rreth kësaj bote të re, aq më shumë donte të mbulohej me shami, dhe këtë do ta përforconte edhe një udhëtim që bëri drejt Turqisë.

Përballë një vendimi të tillë, Aldona, 18-vjeçare asokohe do të ishte e vetme, pasi e gjithë familja dhe të afërmit ishin kundër, madje e motra do të distancohej prej saj për një periudhë të shkurtër. Pavarësisht kësaj, ajo ndoqi zemrën dhe u konvertuar në një myslimane të devotshme duke u mbuluar.

Paragjykimet nuk munguan aq sa u detyrua të largohej nga gjimnazi ku studionte pa përfunduar viti shkollor. Nga Durrësi, ajo u zhvendos në kryeqytet me shpresën që atje, një vajzë e re myslimane do ta kishte më të lehtë por sërish iu desh shumë kohë dhe mund derisa arriti të pranohej në shkollë e të mbyllte arsimin e mesëm.

Sot, Aldona është e lumtur për vendimin e saj, ndihet në paqe dhe e qetë, ndonëse i duhet të përballet me vështirësi për shkak të mbulesës, vështirësi të cilat nuk ia zbehin buzëqeshjen dhe ëmbëlsinë që e karakterizon.

Tashmë i ka në krah anëtarët e familjes, edhe pse të ardhurat për shpenzimet e saja duhet t’i sigurojë vetë, por për të nuk është aspak e lehtë të gjejë një vend pune. Sërish ajo nuk heq dorë nga përpjekjet pasi siç shprehet, mbulesa nuk është pengesë për të treguar aftësitë që zotëron, që një ditë të arrijë të realizojë ëndrrat e saj të mëdha;

Përfundimin e studimeve të larta, hapja e një biznesi dhe krijimi i familjes së saj. Por duke u ndalur te kjo e fundit, si i ka Aldona raportet sot me meshkujt, a e ngacmojnë djemtë? Këtë dhe shumë të tjera, i zbuloni në intervistën e mëposhtme.