Tiranë, 2 shtator 2014 – Skandali i vjedhjes së 713 milionë lekëve në Bankën e Shqipërisë ka qenë në fokus të diskutimeve gjatë takimit që shefi i misionit të FMN-së, Nadeem Ilahi ka zhvilluar paraditen e sotme me guvernatorin Ardian Fullani dhe anëtarët e Këshillit Mbikqyrës. Ky është takimi i parë i shefit të misionit me drejtuesit e bankës, ndërkohë që takime mes stafit të të dyja palëve janë zhvilluar edhe ditët e mëparshme. Takimi, i zhvilluar në godinën që aktualisht shërben si seli e Bankës Qendrore ka zgjatur rreth 2 orë. 

“Kemi diskutuar, por do te flasim ne kohen e duhur, ku do te dalim para mediave me nje deklarate”,ka deklaruar Ilahi pas takimit. 

Konferenca e përbashkët për shtyp e shefit të misionit të FMN, Nadeel Ilahi, guvernatorit Ardian Fullani dhe Ministrave Shkëlqim Cani dhe Arben Ahmetaj është caktuar me datë 8 shtator, në përfundim të vizitës 2 javore të misionit në Tiranë. Përvec skandalit në Bankën e Shqipërisë, FMN ka diskutuar me drejtuesit e qeverisë dhe administratës publike per hedhjen e ekonomisë dhe financave, rishikimin e buxhetit të këtij viti, si dhe buxhetin e shtetit të ardhshëm. 

Vizita e misionit të FMN-së realizohet çdo tre muaj, në bazë të marreveshjes se huasë që qeveria shqiptare ka nenshkruar me fondin monetar. Referuar kësaj marrëveshje, në mesin e muajit shtator parashikohet dhe disbursimi i trashit të tretë te kredise prej 26 milione euro. 

Takimet do të zhvillohen deri në datën 8 shtator dhe në fokus të tyre do të jenë situata makroekonomike, zhvillimet dhe perspektivat, të dhënat rreth rritjes ekonomike, inflacioni, performanca e të ardhurave, ecuria e taksave, shlyerja e detyrimeve të prapambetura, reformat në sektorët e energjisë, pensioneve, etj, investimet e huaja, niveli aktual i borxhit dhe planet për vitet e ardhshme etj. Vizita e FMN-së bëhet në kuadër të memorandumit të bashkëpunimit dhe marrëveshjes 3-vjeçare, me vlerë rreth 331 milionë euro. 

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/