Durrës, 2 shtator 2014 – Me sa duket prangosja e supermashtruesit Kujtim Kllogjeri dhe zbardhja e disa prej mashtrimeve ‘më të famshme’ të tij ka nxitur të tjerë qytetarë të denoncojnë faktin se janë mashtruar nga 51 vjeçari me banim në Durrës.

Arrestimi i Kllogjerit u bë disa ditë më parë, pasi disa qytetarë denoncuan faktin se apartamentet që kishin blerë prej Kllogjerit, që punonte si përfaqësues i një firme ndërtimi, u ishin shitur edhe personave të tjerë.

Duket se ky ka qenë një nga mashtrimet më të preferuara nga Kllogjeri, pasi një ditë më parë, një tjetër qytetar F.S., 46 vjeç, nga Berati ka denoncuar faktin se ka blerë në vitin 2012 një apartament nga 51 vjeçari, por më pas ndërtuesi këtë apartament ia ka shitur një tjetër shtetasi.

Veç shitjes së të njëjtit apartament dy personave të ndryshëm, Kllogjeri akuzohet edhe për dorëzim të apartamenteve jashtë kushteve të parashikuara në kontratë.

Kllogjeri gjithashtu akuzohet për mashtrimin e 64 personave, të cilëve u kishte marrë pasaportat biometrike dhe 350 euro në këmbim të punësimit në Kazakistan. Siç mund të merret lehtë me mend për punësim as që mund të bëhej fjalë.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/