Tiranë, 2 shtator 2014 – Ish-Kryeministri Sali Berisha e ka quajtur krim barbar vrasjen e dy grave, të cilat janë masakruar në Durrës. Berisha shprehet se me qeverinë e Ramës dhe Metës nuk do të ketë siguri.
“Një krim horror. Dy gra, zonja të moshuara, masakrohen barbarisht në banesën e tyre në Durrës.
Një krim horror ka ndodhur mbrëmë në qytetin e Durrësit. Dy zonja të moshuara janë lidhur dhe mbytur barbarisht gjatë natës në banesën e tyre. Ky është një krim monstruoz që ka tronditur Durrësin dhe mbarë Shqipërinë, dëshmia e radhës e revanshit të papërmbajtur të krimit mbi rendin dhe sigurinë e qytetarëve, në zemër të qyteteve tona dhe në mbarë vendin.
Kjo ngjarje mizore është një aktakuze tjetër ndaj byrazerit të krimit, Edvin Kristaq Rames dhe zëdhënësit të tij për rendin Tahiri, që me lidhjet e tyre janë mbrojtje dhe inkurajim i madh për mafien dhe krimin që vetëm dy ditët e fundit kanë goditur me të gjitha mjetet; tritol, kallashnikov, çekic, litar, në Vlorë, Tiranë, Durrës e kudo.
Me qeverinë Rama – Meta nuk ka dhe nuk do ketë rend dhe siguri. Duke dënuar me ashpërsinë më të madhe këtë krim makabër, dënoj qeverinë Rama – Meta, lidhjet e tyre me bandat, cinizmin e tyre të zëvendësimit të mungeses së rendit dhe të sigurisë me suksese imagjinare dhe statistika fallco të kriminalitetit të papërmbajtur! “, ka shkruar Berisha në Facebook.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





