Tiranë, 27 gusht 2014 – Partia Demokratike, nëpërmjet deputetit Arben Ristani, deklaroi në një dalje për mediat gjatë ditës së sotme, se kryeministri Edi Rama e barazoi me vrasje krimin ndaj mjedisit, ndërsa në të njëjtën kohë, lejoi shembjen e një kodre të bukur në afërsi të banesës së tij.
“Pikërisht në kohën kur propaganda e Edi Ramës po arrinte pikun, kur ai e quajti krimin mjedisor të barabartë me vrasje, 100 metra larg shtëpisë së tij, makineri të tonazhit të rëndë shembën një kodër të bukur, për një ndërtim pa leje, në Surrel të Dajtit”, tha deputeti Ristani.
Sipas tij, sekreti i këtyre makinerive që kryejnë atë që Edi Rama në një sallë të Hotel Tiranës po e quante vrasje, është se punojnë për një njeri të afërt të qeverisë dhe kur krimi mjedisor, ndërtimi pa leje ndodh 100 metra larg shtëpisë së Kryeministrit, bëhet, sipas Ristanit “me lejen dhe bekimin e tij”.
“Po ju sjellim dhe një herë ndërmend propagandën e Kryeministrit, kur u kërkoi drejtuesve të policisë ta trajtojnë një ndërtim pa leje si vrasje”,tha deputeti demokrat, ndërsa tregoi një video të Kryeministrit.
Ristani u shpreh se Edi Rama angazhoi në propagandë edhe Ministrin e tij të Brendshëm, i cili kërcënoi publikisht këdo që përfshihet në ndërtim pa leje, se e pret burgu.
Ai bëri me dije se ky ndërtim pa leje që denoncoi dje Partia Demokratike nuk është për Edi Ramën një vrasje, pasi, sipas deputetit Ristani, vrasjen po e bën njeriu më i afërt i Erion Veliajt.
“Pse nuk ka asnjë procedim penal nga dje për këtë masakër mjedisore që bëhet pa leje dhe 100 metra larg shtëpisë së Edi Ramës? Nuk ka asnjë procedim, sepse këtë masakër, këtë krim mjedisor, këtë ndërtim pa leje po e bëjnë vetë ministrat. Ky është një skandal që ndodh në mes të Tiranës ditën për diell. Ky rast, dëshmon qartë politikën selektive e korruptive të Edi Ramës me ndërtimet dhe territorin”,përfundoi deklaratën e tij Ristani.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





