Tiranë, 27 gusht 2014 – Partia Demokratike deklaroi sot se modeli që ka krijuar dhe promovon Edi Rama, po jep çdo ditë rezultate.

Në qëndrimin e partisë më të madhe opozitare u nënvizua se Kryeministri teksa ka inkriminuar administratën, zyrat e shtetit, parlamentin, i ka dhënë leje çdo zyrtari dhe çdo kujt që ka lidhje me oligarikë që të shkelë ligjin, rregullin, moralin.

“Duke futur në parlament të dënuarin për trafik prostitucioni, duke emëruar trafikantët e drogës e rrëmbyesit e fëmijëve në poste kyçe, Rama i ka hapur dritën jeshile abuzimit në cdo drejtim. Në këtë mënyrë, ai ka dhënë lejen për miqtë e tij të ndërtojnë pa leje. Ka krijuar lehtësitë që zyrtarët dhe përfaqësuesit politikë të kërkojnë favore seksuale. Ka ngritur sistemin e një korrupsioni masiv. Mblesëria e Edi Ramës me përfaqësuesit më në zë të trafikut të drogës e botës së krimit, ka sjellë në jetë oligarkinë e sotme në veprim”, thuhet në reagimin e PD.

Më tej shtohet se e vetmja gjë e qëndrueshme sot është lidhja rreth pushtetit dhe qeverisjes e një rrjeti të madh trafikantësh e ish-të dënuarish për vepra të rënda penale.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/