Angli, 27 gusht 2014 – Shqiptari Florian Abazi, 29 vjeç, ka një histori të gjatë përballjesh me drejtësinë angleze. Ai u dënua të hënën, më 25 gusht, nga gjykata angleze me tre muaj burg, të shndërruar në 18 muaj dënim me kusht, sepse në 18 shkurt 2014 ai i futi duart dhe u përpoq të puthte me forcë një studente franceze 19 vjeçare në një hostel në lagjen Soho të Londrës, ku ai banonte prej disa kohësh. Gjykata (në foto gjykatësi që dha vendimin) e dënoi Florianin edhe me pagimin e 250 stërlinave kompensim për studenten franceze, si edhe të paguajë 250 stërlina shpenzime gjyqësore.

Fatkeqësisht Floriani nuk mund të deportohet nga Anglia, sepse ai ka një vajzë me një qytetare angleze dhe automatikisht ka marrë nënshtetësinë britanike. Ai nuk mund të deportohet, sepse kështu do të shkeleshin të drejtat e njeriut të së bijës (fëmija ka të drejtë të mbajë kontakte të vazhdueshme me babain).

Gjatë qëndrimit të tij në Angli, Floriani jo rradhë herë është kthyer në problematik për policinë vendore. Në vitin 2005, ai u dënua me 4 vjet burg për grabitje me dhunë, kur ishte vetëm 20 vjeç. Pasi doli nga burgu, shteti anglez i pagoi 750 stërlina, për t’i lehtësuar dëbimin për në Shqipëri.

Abazi, pasi qëndroi disa muaj për pushime në Shqipëri, u kthye ilegalisht në Angli nëpërmjet rrjeteve kriminale shqiptare në Francë, që merren me futjen e klandestinëve në Angli. Në vitin 2011, ai u dënua me një vit burg, sepse kishte mashtuar një kompani lojërash fati angleze duke manipuluar makinetat e lojërave të fatit me një çelës të posaçëm.

/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/