Durrës, 27 gusht 2014 – Përfaqësuesi i një firme ndërtimi, 52 vjeçari Kujtim Kollgjeri, është arrestuar nga policia e Durrësit me akuzën e “Mashtrimit”.

Mësohet se 52 vjeçari shiste tek klientët e tij 2 herë të njëjtin apartament duke mashtruar qytetarët dhe në këtë mënyrë përfitonte shuma të konsiderueshme monetare në dëm të këtyre të fundit.

Burime policore bëjnë të ditur se Kollgjeri dyshohet se ka shitur në një pallat në lagjen nr.17 në Durrës dy herë të njëjtin apartament.

Kështu, në vitin 2009, ai i ka shitur kundrejt vlerës prej 90.000 euro apartamentin shtetasit N.I., 63 vjeç, banues në Arapaj, ndërsa në 2014-ën, ia ka rishitur atë kundrejt shumës prej 18.000 euro shtetasit S.B., 30 vjeç, banues në lagjen nr.15 Durrës.

Përveç këtij mashtrimi, ndaj Kollgjerit janë depozituar në Sektorin kundër Krimit Financiar në policinë e Durrësit dy kallëzime nga dy shtetas të ndryshëm që e akuzojnë 52 vjeçarin për mos zbatimin e kushteve të kontratës.

Shtetasi A.K., 50 vjeç, banues në lagjen nr.5 Durrës, i cili ka blerë kundrejt vlerës prej 65.000 euro apartamentin e tij tek ky subjekt dhe shtetasja H.Zh., 49 vjeçe, banuese në lagjen nr.5, e cila e ka blerë kundrejt 38.000 eurove apartamentin e saj po në këtë pallat kanë deklaruar para uniformave blu se 52 vjeçari nuk ka qëndruar korrekt në respektimin e kushteve të kontratës të firmosur nga të dyja palët.

Grupi hetimor ka marrë në dorëzim të gjithë dokumentacionin përkatës nga 4 qytetarët durrsakët që kanë denoncuar këto raste mashtrimi dhe po punon për zbardhjen e kësaj çështjeje.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/