Gjermani, 27 gusht 2014 –  Qeveria gjermane ka publikuar axhendën e Konferencës së Berlinit, ku do të marrin pjesë gjithë kryeministrat e Ballkanit.

Zëdhënësi i Qeverisë Federale, Steffen Seibert, nëpërmjet një deklarate për shtyp, tregoi detajet e këtij takimi.

Këtë të enjte, më 28 gusht do të zhvillohet në Berlin një Konferencë për Ballkanin Perëndimor. Pas pjesëmarrjes së saj para pak javësh në Takimin e Kryetarëve të Shteteve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të procesit Brdo-Brijun, i cili u zhvillua më 15 korrik në Dubrovnik, Kancelarja Federale Merkel së bashku me ministrin Federal të Ekonomisë Gabriel dhe ministrin e Jashtëm Federal Steinmeier do të presin kryetarët e Qeverive, ministrat e Jashtëm dhe Ministrat e Ekonomisë të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor si edhe të Kroacisë dhe Sllovenisë”, thuhet në deklaratën e Seibert.

Ai tha se diskutimet e Konferencës do të përqëndrohen në adresimin e çështjeve të hapura në rajon, forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe prespektiven europiane te Ballkanit.

Qëllimi i kësaj nisme është trajtimi i çështjeve të hapura në rajon qysh prej shumë vitesh dhe gjenerimi i impulseve të reja për përgjigjen e tyre.

Këtu është fjala kryesisht për forcimin dhe mbështetjen e bashkëpunimit të shteteve të rajonit me njëra-tjetrën.

Gjithashtu bëhet fjalë edhe për afrimin me Evropën: afrimin politik, ekonomik por edhe në pikëpamjen e shtetit të së drejtës. Gjermania është pro perspektivës Evropiane për shtetet e Ballkanit Perëndimor”, tha ai.

Kancelarja Merkel do të përshëndesë më 28 gusht, rreth orës 15:20 kryeministrat pjesëmarrës në këtë konferencë, respektivisht kryeministrin e Shqipërisë, Bosnje-Hercegovinës, Kosovës, Kroacisë, ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë, Malit të Zi, Serbisë dhe Sllovenisë.

Në vijim do të zhvillohet një mbledhje pune.

Bashkimi Evropian do të përfaqësohet në mbledhjen e kryetarëve të Qeverive nga kryetari i Komisionit Barroso.

Më pas do të vijojë një mbledhje plenare në kuadrin e një darke pune nga ora 18:30 deri në 20:30.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/