Tiranë, 23 gusht 2014 – Partia Demokratike vijon me denoncimin rasteve të punësimit në administratë të personave me precedent të mëparshëm penal. Në një deklaratë për mediat ditën e sotme deputeti i kësaj partie Flamur Noka denoncoi punësimin e një personi të dënuar për trafik droge në Turqi në Drejtorinë e Lojërave të Fatit.
“Inkriminimi që Edi Rama i ka bërë administratës ka shkuar sipas një skeme gjakftohtë dhe ka synuar kapjen e sektorëve kyç. Personat e përfshirë në trafik ndërkombëtar droge, janë më të preferuarit. Me Edi Ramën, menjëherë pas ardhjes në pushtet, rilindi Nalton Jacaj, i kapur në Turqi me 200 kilogramë heroinë, të cilit iu besua një rol aktiv tek Drejtoria e Lojërave të Fatit. Nalton Jacaj ishte tregtar konfeksionesh, dhe në vitin 2009, në Stamboll, në maunen e tij kishte ngarkuar 200 kilogramë heroinë. Kapja e Jacajt dhe bashkëpunëtorëve të tij, ka qenë lajm i bujshëm në atë kohë. Kemi këtu të printuara lajmet e mediave kryesore të vendit mbi këtë aksion të policisë së Stambollit”- u shpreh Noka.
Më tej ai theksoi se: “Me ardhjen në pushtet të Edi Ramës, një nga emërimet e para në drejtorinë e Lojërave të Fatit ishte pikërisht Nalton Jacaj. Ky i fundit, plotëson edhe një kriter tjetër, është i afërmi i një prej senatorëve të Partisë Socialiste, i cili herë pas here, sa herë e lyp nevoja, sulmon opozitën. Kjo është një dëshmi tjetër, se sa boshe dhe e rrejshme është retorika e Edi Ramës për shanset e barabarta, për meritën, për konkursin e vendeve të reja të punës në administrate”.
“E vërteta është se vendet në administratë janë zënë, dhe postet kyce janë rezervuar për trafikantët e drogës”-përfundoi Noka.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





