Tiranë, 23 gusht 2014 – Duke filluar nga dita e sotme, hyn në fuqi ligji "Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit", i cili për herë të parë parashikon vendosjen e gjobave edhe për duhanpirësit.
Masa e gjobës do të jetë 5000 lekë, ndërkohë që do të gjobiten edhe administratorët e lokaleve, që lejojnë klientët të pijnë duhan në ambiente ku nuk lejohet.
Sipas ligjit të ri, shkelja e nenit të ri ku përcaktohen mjediset ku ndalohet pirja e duhanit, parashikon gjobitjen e subjekteve të tatueshme me 300 000 lekë, 50 000 lekë gjobë për personin përgjegjës në institucionet publike si dhe 50 000 lekë për administratorin në banesat me bashkëpronësi të detyrueshme.
Po ashtu, ligji i ri përcakton se pronari ose administratori i mjediseve ku ndalohet duhani është personi përgjegjës për vendosjen në një vend të dukshëm të listës së trupave inspektuese për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit, të shenjave të dukshme, që tregojnë se pirja e duhanit në këto mjedise është e ndaluar, si dhe të heqë e të mos lejojë vendosjen e tavllave të duhanit në këto mjedise.
Shkelja e këtij neni dënohet me 300 000 lekë gjobë për subjektin e tatueshëm dhe 50 000 lekë gjobë për administratorin apo personin e caktuar përgjegjës.





