Tiranë, 22 gusht 2014 – Ish- kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, thyen urdhrin e kreut demokrat Lulzim Basha, i cili udhëzonte deputetët demokratë për të mos marrë pjesë në aktivitetet parlamentare apo takimet e organizuara nga kryetari i Kuvendit, Ilir Meta.
Mësohet se Topalli ka qenë e pranishme në darkën e organizuar nga kryeparlamentari Meta për nder të delegacionit japonez që zhvilloi një vizitë zyrtare në Tiranë. Topalli ishte e ftuar si ish- kryetare e Kuvendit të Shqipërisë në periudhën 2005- 2013, raporton "Tema".
Darka zyrtare është bojkotuar nga nënkryetari demokrat i Kuvendit, Edmond Spaho, i cili duket se ka respektuar urdhëresën e kryetarit të PD-së, Lulzim Basha.
Ky i fundit pak ditë më parë, përmes kryetarit të Grupit Parlamentar demokrat, Edi Paloka, i kërkonte deputetëve të PD-së që të mos ishin pjesëmarrës në asnjë nga aktivitetet që do të zhvillonte Kuvendi i Shqipërisë apo kryeparlamentari për shkak të marrëdhënieve të kushtëzuara që partia më e madhe e opozitës ka vendosur me Parlamentin.
Nuk dihet nëse bojkoti i deputetëve të PD-së do të vijojë edhe me nisjen e sesionit të ri parlamentar, por burime nga partia më e madhe opozitare theksojnë se gjithcka do të vendoset në shtator, kohë kur kjo parti gjithashtu pritet të organizojë protesta kundër qeverisë.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





