Zvicër, 22 gusht 2014 – Një shqiptar nga Presheva është ekzekutuar brenda një xhamie në Zvicër. Ngjarja që ka shokuar besimtarët ndodhi pas faljes së namazit të xhumasë, ndërsa besimtarët myslimanë po përgatiteshin për t'u kthyer për në banesat e tyre, kur një 50-vjecar shqiptar qëlloi me 5 plumba bashkëkombasin e tij të së njëjtës moshë.
Krimi i rëndë ndodhi në xhaminë “El Hidaje” në Zvicër.
Dëshmitarët thanë për mediat në Zvicër se mbetën të shokuar kur panë që një prej myslimanëve, pasi kreu faljen nxorri pistoletën dhe ekzekutoi shqiptarin. Sipas dëshmive të tyre, autori i vrasjes nuk ishte një besimtar i rregullt që frekuentonte këtë xhami, por kohët e fundit ishte parë më shpesh aty. Mesa duket autori e ka vëzhguar viktimën prej kohësh dhe ka vendosur të hakmerret pikërisht aty ku njerëzit mblidhen për të kërkuar falje për mëkatet.
Burim Berisha, një shqiptar që jeton në Zvicër dhe që frekuentonte xhaminë “El Hidaje” ka thënë për policinë se vrasja duket se ka për motiv gjakmarrjen. Duke qenë se ai e njihte viktimën dhe autorin, Burim Berisha ka bërë të ditur se 20 vjet më parë viktima i kishte vrarë të vëllanë aurorit të vrasjes.
Zhëdhënësi i policisë Gian Andrea Rezzoli ka deklaruar se autori i krimit u vu në pranga pasi po priste të dorëzohej dhe kishte qëndruar brenda xhamisë me pistoletë në dorë.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





